Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se grupi parlamentar i partisë së tij, nuk do të marrë pjesë në asnjë votim në Kuvend, deri sa të themelohet komisioni hetimor për shpenzimet në subvencionimin e sektorit të energjisë.
Haradinaj ka thënë të martën në një konferencë për media, pas dështimit të themelimit të këtij komisioni në Kuvend, se dhjetëra miliona euro janë paguar për rrymën në veri dhe se për këtë nuk do të votojë asgjë tjetër në Parlament.
“Vendi ka hyrë në një krizë të thellë, sociale nga rritja enorme të çmimeve, jemi dëshmitarë që sot ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Qeveria e pengoi parlamentin që ta votojë themelimin një komision hetimor për energjinë për shpenzimet në subvencionimin e sektorit të energjisë. Dihet mirëfilli që dhjetëra milionë janë paguar për rrymën e vjedhure në veri të vendit. Për këto arsye dhe shumë të tjera Grupi Parlamentar i AAK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë votim deri në themelimin e këtij Komisioni”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka përmendur edhe një varg çështjesh të tjera, si gazsjellësin amerikan dhe mosmiratimin e Ligjit të Pagave.
“Jemi të shqetësuar se qeveria po vazhdon ta mbajë të bllokuar gazsjellësin Shkup-Prishtinë, një projekt i rëndësishëm amerikan, derisa e tërë Evropa po kalon nga gazi rus në atë amerikan. Kryeministri po e bllokon jo vetëm një gazsjellës, por një projekt amerikan. A është i vetëdijshëm kryeministri se me këto vendime ai po e rrezikon sigurinë e vendit. Kërkesa e për rikthimin urgjent të gazsjellësit është e një rëndësie jetike për Kosovën. Jemi të shqetësuar për vonesën e miratimit të Ligjit të Pagave”, ka thënë Haradinaj.
Në seancën e sotme të Kuvendit nuk ka kaluar mocioni për futjen në rend të ditës formimin e Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike, pasi vetëm 33 deputetë kanë votuar për. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ky mocion mbetet për seancën e ardhshme.
LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja e kanë lëshuar seancën, duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.