AAK-ja reagon ashpër ndaj deklaratave të Borrellit për ndryshim kufijsh

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar ndaj deklaratës së shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell i cili tha se Bashkimi Evropian nuk është kundër ndryshimit të kufijve.

Me anë të një komunikate për media, AAK-ja tha se një deklaratë e tillë është e dëmshme sipas tyre për paqen dhe stabilitetin e rajonit, shkruan lajmi.net.

Sipas AAK-së, kjo është një qasje destruktive në rolin e tyre në dialogun e udhëhequr nga SHBA-të.

“Secila përpjekje për të na rikthyer në një proces të paqartë, të pakornizuar në kohë, dhe pa parime dialoguese, do të jetë kundërproduktive, dhe do të refuzohet fuqishëm nga Kosova dhe populli i saj sikurse në të kaluarën”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Reagimi i plotë:

Pasaktësia dhe qëndrimi tendencioz i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, lidhur me idenë e ndryshimit të kufijve, ashtu siç është deklaruar dje në media, është e dëmshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit, dhe e cilësojmë si qasje destruktive në raport me rolin e tyre si lehtësues në dialogun e udhëhequr nga Amerika për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë.

Secila përpjekje për të na rikthyer në një proces të paqartë, të pakornizuar në kohë, dhe pa parime dialoguese, do të jetë kundërproduktive, dhe do të refuzohet fuqishëm nga Kosova dhe populli i saj sikurse në të kaluarën. Të cilët janë të përcaktuar për Kosovën në kufijtë e pavarësisë së 17 shkurtit 2008, ashtu siç na ka njohur shumica absolute e shteteve perëndimore demokratike, në krye me ShBA-në.