Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se si grup kanë kërkuar të caktohet seancë për debat për tri vjetët e Qeverisë Kurti.
Ai ka thënë se janë në një vit zgjedhor dhe se Kosova është duke stagnuar.
“Një kryeministër që ka një plan qeverisës, që ka objektiva qeverisëse, ai nuk flet për zgjedhjet e parakohshme. Ai flet se si të përmbyllë vitin e tij katërvjeçar, nuk flet për zgjedhje. Në atë moment kur të flet për zgjedhje ai është dorëzuar. Problem nuk është Kuvendi, problem është Qeveria”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se AAK-ja ka kërkuar qe një vit e gjysmë që të shkarkohet kryeministri Albin Kurti.
“Ne si AAK e kemi kërkuar shkarkimin e tij që 1 vjet e 6 muaj. Z. Kurti në strategjinë e tij e ka viktimizimin dhe ky viktimizim nuk kalon. Ne do ta thërrasim në interpelanca, në debate. Ballafaqimi i parë duhet të jetë në debatin për 3-vjetorin qeverisës”, ka thënë ai.