Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Këtë e konfirmoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit që pati me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti.
“Arritëm marrëveshje për koalicionin qeverisës, pra për krijimin e qeverisë së re. Kosovën e presin plot sfida, e sfida e parë është gjendja me pandeminë, me të gjitha këto pasoja që ka shkaktuar, sidomos ekonomisë së vendit. Jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë por kemi besim se të gjitha këto sfida që e presin Kosovën do t’i kalojmë bashkë me punë”, tha ai
Haradinaj njoftoi se partia e tij do të udhëheq katër ministri në Qeverinë e ardhshme.
“Kemi zëvendëskryeministër Besnik Tahirin, Ministrinë e Punëve të Jashtme do ta udhëheq Meliza Haradinaj, Ministrinë e Drejtësisë do ta udhëheq Selim Selimi, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik do ta udhëheq Blerim Kuçii, dhe Ministrinë e Arsimit, Ramë Lika”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, LDK ka njoftuar se sot gjatë ditës do të finalizojë marrëveshjet me partitë politike.