Institucionet e Republikës së Kosovës po bëjnë përpjekje që të gjithë të lënduarit që janë në gjendje të rëndë nga shpërthimi në Ferizaj dhe kanë nevojë për trajtim në Turqi, të dërgohen atje sa më parë që të jetë e mundur, teksa familjarë të njërit nga të lënduarit kanë thënë se familjari i tyre është larguar nga lista për dërgim jashtë vendit.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu në një prononcim për Telegrafin theksoi se për momentin shteti i Turqisë, ka pranuar vetëm katër pacientë, ndërkaq po vazhdojnë diskutimet për të bërë vend edhe për dy të tjerë.
Sipas tij, askush nga të lënduarit nuk është hequr nga lista për trajtim në Turqi dhe se përzgjedhja e tyre është bërë nga Këshilli profesional i mjekëve në bazë të lëndimeve dhe gjendjes.
Ai tha se është e kuptueshme që familjarët mund të reagojnë për shkak se janë në emocion dhe në atë gjendje mund të kenë ndonjë pasaktësi në deklaratat e tyre.
“Ministria nuk e ka hequr nga lista askënd, por është e kuptueshme që kur të jesh në emocionin e familjarëve, natyrisht që është kërkesë edhe ne jemi solidarizuar me ta, se duhet të dërgohen për shërim, mirëpo emocioni i tyre që me i dërgu sa më shpejt, mund të ketë ndonjë pasaktësi, por nuk mund t’i hyjmë në hak ministrisë, sepse ata nuk e kanë bërë listën. Listën për trajtim jashtë vendit e ka bërë Këshilli profesional i mjekëve, prej gjashtë personave, mirëpo në Turqi janë pranuar vetëm katër”, u shpreh Aliu.
Ai bëri të ditur se “katër janë ranguar në bazë të shkallës së lëndimeve që kanë pasur, kjo është bërë me vlerësimin profesional të mjekëve, nuk është as vlerësim i ministrisë, as i askujt, vetëm i mjekëve”.
“Ne jemi duke bërë përpjekje që edhe këta dy të tjerët me i dërgu, me u siguru kapacitetet që me i dërgu edhe këta dy. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me ministrinë edhe me ambasadën turke, të cilën dua ta falënderoj, ambasadorin Cagri Sakar, i cili ka qenë shumë bashkëpunues dhe këmbëngulës që në afate sa më të shpejta me u dërgu atje. Mirëpo, për momentin kanë pranuar që vetëm katër me qenë atje. Do të thotë ne kemi kërkuar gjashtë, por atje i kanë pranuar vetëm katër”.
Sa i përket kapaciteteve financiare, Aliu tha se ende nuk është koha të flitet për shuma të parave, duke qenë se ende nuk janë dërguar të gjithë pacientët për trajtim.
Megjithatë, i pari i Ferizajt u shpreh se edhe nëse kanë nevojë që të shtohen para, ata kanë partner, miq e bashkëpunëtor të cilët janë ofruar të japin mbështetjen e tyre.
“Sigurisht janë disa limite ligjore, megjithatë është fondi, dhe ato janë çështje të ministrisë. Për momentin nuk është çështja e parave, por është çështja që me u siguru shteti pranues në këtë rast, me i pranuar pacientët e pastaj çështja e fondeve është ajo që e garanton shteti, është një shumë e caktuar, nëse duhet me u shtu pastaj, ne kemi partner, miq e bashkëpunëtor të cilët janë ofru për me i mbështet, por çështja nuk ka ardhur deri aty ende. Çështja është tash si të bëhet transferimi i të gjithëve”, tha Aliu për Telegrafin.
Për mundësinë që dy pacientët e tjerë t’i dërgojnë në ndonjë vend tjetër, Aliu tha se në spitalet e rajonit nuk janë në nivel sikurse ai i Turqisë.
“Spitalet e rajonit nuk kanë të këtij niveli, se unë po i dëgjoj kërkesat me u ndërtu spitalet e tilla, por nuk është problemi me i ndërtu objektet, por duhet të ndërtohen kapacitetet profesionale, sepse spitalet i ndërton, por kapacitetet është problem me i ndërtu për një ditë. Turqia është një hap para, jo vetëm ndaj nesh, por edhe shteteve të rajonit”, u shpreh Aliu.
Luljeta Gashi Deda, e cila është prezantuar si motra e Fidan Gashit, njërit nga të lënduarit gjatë shpërthimit në Ferizaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se vëllai i saj është larguar nga lista për trajtim në Turqi.
“Në rastin e shpërthimit të bombolës së gazit në Ferizaj ka qenë i pranishëm edhe vëllai im me gruan, babin dhe vajzën por që ata janë në gjendje më të mirë shëndetësore. Qeveria premtoi që do të dërgojë të gjithë të lënduarit në gjendje kome në Turqi, por në momentin e fundit u njoftuam që familjarin tonë Fidan Gashi e kanë hequr nga lista. Tani na duhet të mbledhim fonde që ta dërgojmë atje”, shkruan ajo.
Telegrafi ka tentuar të kontaktoj me të, por ajo nuk është përgjigjur për të dhënë më shumë detaje.