Më shumë se 43 milionë njerëz në Amerikë kanë masë të ulët kockore, çka i vë ata në rrezik për t’u prekur nga sëmundja osteoporoza. Ky rrezik rritet me moshën, duke i bërë të moshuarit më të prirë për të pasur probleme me osteoporozë apo thyerje të kockave.
Këto shifra të larta mund ti bëjnë njerëzit të interesohen se si t’i mbani kockat të forta dhe të shëndetshme. Një dietë e mirë që përfshin shumë produkte të pasura me vlera ushqyese dhe stërvitja e rregullt, janë çelësi kryesor për t’i mbrojtur kockat nga plakja. Por këtë qëllim e ndihmon edhe marrja e një shtese të kalciumit përmes suplementeve, raporton portali “Eat This, Not That”.
Trupi i njeriut e ruan 99 për qind të kalciumit në kocka. Ky mineral ndihmon për t’i bërë ato të forta, dhe kur ka mungesë të kalciumit, rreziku i humbjes së densitetit të kockave dhe thyerjes së tyre rritet dukshëm. Pas moshës 30-vjeçare, kockat ngadalë fillojnë ta humbasin kalciumin duke çuar në uljen e densitetit mineral kockor me kalimin e moshës. Kjo është veçanërisht e vërtetë për gratë pas menopauzës, pasi ulja e mprehtë e niveleve të estrogjenit inkurajon dobësimin e kockave.
Disa prej ushqimeve të pasura me kalcium janë, qumështi dhe produktet e qumështit, tofu, qumështi i sojës, salmoni, spinaqi, drithërat dhe lëngjet e fortifikuara. Nëse nuk mund të merrni mjaftueshëm kalcium nga ushqimi, mund t’ju duhet të filloni me konsumimin e ndonjë suplementi.
Po ashtu mungesa e vitaminës D, bënë që trupi të mos jetë në gjendje ta absorbojë kalciumin. Kalimi i kohës në rrezet e diellit e ndihmon trupin që ta krijojë vitaminën e vet D, por gjithashtu atë mund ta merrni të tretshme në yndyrë nga ushqime si, salmoni, peshku tuna, kërpudhat dhe ushqimet e fortifikuara.
Ndërsa është thelbësor për shëndetin e kockave, jo të gjithë duhet ta marrin një suplement kalciumi. Personat e moshuar që kanë probleme me zemër dhe të gjithë ata që nuk kanë mangësi në këtë lëndë ushqyese, duhet ta shmangin konsumimin e suplementeve. Kalciumi i tepërt mund të shkaktojë gurë në veshka, rritje të kalcifikimit të enëve të gjakut dhe dhimbje stomaku.
Nëse nuk jeni të sigurt nëse kalciumi është suplementi i duhur për ju, flisni me mjekun përpara se ta shtoni ndonjë suplement ose medikament të ri në rutinën tuaj.