Pesë muaj nga miratimi i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike në Qeverinë e Kosovës, i njëjti ende nuk ka arritur të marrë miratim përfundimtar në Kuvendin e Kosovës.
Pas gjashtë dështimeve, ky projektligj në tetor ka arritur të miratohet në lexim të parë.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se ky projektligjit ka mbetur peng i inateve politike në mes partive, në veçanti Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Vetëvendosjes (VV).
“LDK dhe VV që nga rrëzimi i qeverisë në krye me Albin Kurtin dhe formimi i qeverisë me kryeministër, Avdullah Hotin, kanë pasur marrëdhënie tejet të acaruara dhe janë kundërshtuar për secilën çështje që ka pasur nevojë për diskutim”, thotë Cakolli.
“Po ashtu ky projektligj ka mbetur peng i një lloj arrogance të shumicës parlamentare, përkatësisht qeverisë për të marrë parasysh rekomandimet e opozitës. Asnjë nga rekomandimet që janë propozuar nga deputetët e partive nuk është miratuar”, shtoi ai.
Një projektligj që votohet në lexim të parë, sipas procedurës së rregullt, i duhen së paku dy javë që të shqyrtohet në komisionet funksionale të kuvendit.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në vazhdimësi ka deklaruar se projektligji për rimëkëmbje ekonomike do të miratohet edhe në lexim të dytë, por që deri më tani kjo nuk ka ndodhur.
Miratimi i ligjit, sipas Eugen Cakolli nuk do të ndodhë, nëse nuk do të shtrohen të gjitha çështjet e tij në tryezën e dialogut me partitë opozitare, veçanërisht me PDK-në, e cila ka shprehur interesim të kalojë ky projektligj, nëse merren për bazë rekomandimet e tyre.
Propozimet e PDK-së të futen në projektligj
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, thotë që për të votuar këtë projektligj, duhet të merren në konsideratë propozimet të cilat janë bërë nga ana PDK-së.
“Nëse marren në konsideratë disa propozime që janë racionale, kanë qëllim dhe fokus ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve, ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë. Nëse gjërat lëvizin në këtë drejtim ne qëndrojmë mbrapa kësaj, mbetet të shihet”, thotë Hamza.
Në pyetjen se cilat janë propozimet e PDK-së në raport me këtë projektligj, Hamza nuk ka dhënë detaje, pasi që, siç thotë ai, janë çështje të cilat bisedohen në komisione parlamentare.
“Ne kemi qenë shumë konstruktiv, me kohë i kemi bërë propozimet, nuk ka pasur vullnet politik të mbështeten”, thotë Hamza.
Inatet politike në dëm të biznesit
Masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 kanë pasur efekte negative në ekonominë e vendit. Humbjet e bizneseve konsiderohen të kenë kaluar mbi një miliardë euro, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës.
Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skender Krasniqi thotë se nga inatet politike, po pësojnë bizneset.
“Këto inate janë duke e penguar rritjen e mirëqenies së qytetareve dhe rritjen e biznesit dhe të hyrave për shtetin. Kjo tregon se vullneti i opozitës për të dështuar qeveritë është shumë më i madhe sesa për t’i dal në ndihmë biznesit dhe qytetareve. Po ashtu vullneti i qeverive që mos të dëgjojnë opozitën është i njëjtë dhe kjo e ka sjell vendin në këtë gjendje tragjike”, thotë Krasniqi.
Pa kuorum për të proceduar tutje me projektligjin
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, jo vetëm që nuk po miratohet në Kuvend në votim të dytë, por nuk miratohen as raportet me rekomandime të komisioneve parlamentare në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, pikërisht për shkak të mungesës së kuorumit.
Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati, i ka thënë se në takimet e komisionit nuk ka pasur deri më tani kuorum për të proceduar këtë projektligj.
“Projektligji për rimëkëmbje ekonomike ka mbetur tash e sa javë në Komisionin për buxhet dhe transfere, pa u votuar raporti me rekomandime të komisionit, për shkak se nuk po arrihet të krijohet kuorum prej koalicionit qeverisës për të proceduar tutje”, thotë Murati.
Në procesverbalin e mbledhjes së 11 nëntorit të Komisionit për buxhet dhe transfere të publikuar në web faqen e Kuvendit të Kosovës thuhet se pas përfundimit të diskutimeve dhe në bazë të rezultati të votimit: me 5 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kryetari konstatoi se komisioni nuk pati kuorum për vendimmarrje.
Në mbledhje thuhet se morën pjesë deputetët: Hekuran Murati, Gazmend Abrashi, Mimoza Kusari Lila, Yllza Hoti, Shkelzen Hajdini, Fatmir Rexhepi, Fikrim Damka dhe Veton Berisha.
Ky projektligj nuk po arrin të marrë votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Deputeti Hekuran Murati thotë se votat për këtë projektligj duhet të sigurohen nga koalicioni qeverisës. Sipas tij, “kriza e qeverisë dhe koalicionit qeverisë po reflekton në punën e Kuvendit”.
Fokusi i projektligjit, tërheqja e 10 për qind të kursimeve pensionale
Qëllimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID -19.
Në këtë Projektligji, thuhet se “Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) autorizohet të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind”.
Gjithashtu, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Po ashtu, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, Ministria e Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kriteret për shtyrjen e afateve përcaktohen nga Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës.
Për bizneset që nuk arrijnë të bëjnë pagesën e deklaratës tatimore, nuk shqiptohet ndonjë ndëshkim, me kusht që pagesa bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021.
Ky projektligj – nëse votohet në Kuvendin e Kosovës edhe në leximin e dytë dhe shndërrohet në ligj – do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike. /rel/