Edhe pse brokoli është i njohur për lëndët ushqyese që ka, shumë njerëz nuk e dinë se ai mund të ndihmojë në humbjen e peshës.
USA Today ka shkruar se duke pasur parasysh vlerat e tij ushqyese dhe kaloritë e ulëta, mund të jetë një aleat i shkëlqyer për ata që duan të menaxhojnë peshën trupore.
Brokoli është një nga ushqimet që shpesh quhet “superushqim”, një term që përdoret për të përshkruar ushqime me shumë vlera ushqyese dhe që ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve.
Disa nga superushqimet më të njohura përfshijnë boronicat, kosin e kulluar, salmonin dhe perimet kryesore si brokoli e lulelakra.
Çfarë është brokoli?
Brokoli është perime e gjelbër që bën pjesë në familjen e perimeve të njohura edhe si Brassicaceae. Kjo perime ka kokë të gjelbëruar dhe bisht të mbushur me vlera ushqyese.
“Brokoli është i njohur për shijen e tij të thjeshtë dhe për teksturën e kënaqshme, gjë që e bën atë përbërës shumë të përdorur në gatime të ndryshme”, ka thënë dietologia Lisa Young.
A është brokoli i mirë për shëndetin?
Brokoli është një burim i pasur me lëndë ushqyese të rëndësishme për trupin. Një filxhan i mbushur me brokoli të papërpunuar përmban magnez, kalium, selen, acid folik, vitaminat A, C, dhe K, si dhe afërsisht 2 gramë proteina dhe fibra.
Sipas Jen Messer, nutricioniste dhe konsulente, brokoli gjithashtu ofron rreth 100 miligramë kalcium për një filxhan, kur është i gatuar, një mineral shumë i rëndësishëm për eshtrat dhe zemrën.
Përveç kësaj, brokoli është i njohur për përmbajtjen e tij të antioksidantëve, që ndihmojnë në mbrojtjen e lëkurës dhe përmirësojnë shëndetin e trupit. Ai përmban gjithashtu një substancë të quajtur sulforafan, që ka aftësi të mbrojë organizmin nga dëmtimet dhe të ndihmojë imunitetin.
Një tjetër arsye pse brokoli është i rëndësishëm është lidhja e tij me hulumtimet për kancerin.
“Brokoli përmban glukosinolate, substanca që mund të shndërrohen në përbërës që luftojnë kancerin”, ka shpjeguar nutricionistja LeeAnn Weintraub.
A mund të ndihmojë brokoli për humbjen e peshës?
Një arsye tjetër përse brokoli është i shkëlqyer për shëndetin është se ka shumë pak kalori e ofron shumë vlera ushqyese. Për më tepër, pasi ka përmbajtje të lartë të fibrave, brokoli ndihmon në mbajtjen e ndjenjës së ngopjes, gjë që e bën të përshtatshëm për menaxhimin e peshës.
A mund të konsumohet brokoli çdo ditë?
Edhe pse ka shumë përfitime, disa njerëz mund të duhet të kufizojnë konsumimin e brokolit.
Sipas Weintraub, sasia e madhe e fibrave në këtë perime mund të shkaktojë fryrje ose gazra, veçanërisht për ata që kanë probleme me tretjen ose sindromën e zorrës irrituese. Gjithashtu, brokoli përmban goitrogjene që mund të ndikojnë në funksionin e tiroides kur konsumohet në sasi të mëdha, prandaj peraonat me hipotiroidizëm mund të mos duan ta konsumojnë shumë, veçanërisht në formë të papërpunuar.
Messer ka cekur se brokoli përmban sasi të konsiderueshme të vitaminës K, e cila mund të interferojë me medikamente që hollojnë gjakun.
“Megjithatë nuk duhet të konsiderohet problem nëse konsumohet në mënyrë konsistonte”, ka thënë Messer.
Në përgjithësi, brokoli është perime shumë ushqyese dhe mund të përfshihet lehtësisht në mënyrë të shëndetshme të të ngrënit.
Ai mund të konsumohet në shumë mënyra të ndryshme dhe është mundësi e shkëlqyer për ata që kërkojnë të mbajnë dietë të pasur dhe të ekuilibruar.