Shumë njerëz që ndalojnë konsumin e mishit për një periudhë të gjatë, kanë raportuar shqetësime kur rifillojnë konsumimin. Por, a mund ta “harrojë” vërtet trupi si ta tresë mishin?
Një nga arsyet kryesore pse njerëzit po konsumojnë më pak mish lidhet me ndikimin e tij në ndryshimet klimatike. Sipas një studimi, nëse të gjithë njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar do të reduktonin konsumin e mishit nën 50g në ditë, gjë që është ekuivalente me një salsiçe, do të kursehej e njëjta sasi karboni sa ndalimi i 8 milionë makinave, ka raportuar BBC.
Të dhënat kanë treguar se nga 1980 deri në 2022, konsumi i mishit të kuq në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë me 62%. Arsyeja kryesore duket të jetë rritja e çmimeve, por edhe ndërgjegjësimi mbi ndikimin mjedisor të dietës së pasur me mish.
A mund të shkaktojë probleme rikthimi te mishi?
Në rrjetet sociale, disa persona që kanë ndaluar konsumin e mishit, kanë raportuar shqetësime si dhimbje stomaku, fryrje dhe pa rehati kur e konsumojnë përsëri mishin. Por, sipas Sander Kersten, profesor i ushqyerjes në Cornell University, nuk ka shumë hulumtime shkencore mbi këtë fenomen.
“Mungesa e provave nuk do të thotë se nuk ekziston, por thjesht nuk është studiuar ende”, ka thënë ai.
Ka raste të rralla kur njerëzit zhvillojnë alergji ndaj mishit, siç është sindroma Alpha-gal, ku sistemi imunitar e trajton mishin si trup të huaj. Por kjo lidhet më shumë me pickimet nga rriqrat dhe jo me një ndryshim në dietë.
Trupi nuk “harron” si të tretë mishin
Duke analizuar biologjinë e tretjes, trupi i njeriut nuk humb aftësinë për ta tretur mishin, edhe pas një periudhe të gjatë pa të. Mishi është më i lehtë për t’u tretur sesa fibrat e frutave, perimeve dhe bishtajoreve.
Enzimat që tresin proteinat bimore janë të njëjtat që përdoren edhe për proteinën shtazore. Këto enzima prishin lidhjet kimike të proteinave, pavarësisht nëse ato vijnë nga bimët apo kafshët.
Ky proces ndryshon nga intoleranca ndaj laktozës, ku mungesa e enzimës laktozë e bën të vështirë tretjen e qumështit dhe produkteve të tij. Meqë proteinat e mishit ndahen njësoj si ato bimore, trupi nuk ka arsye të ndalojë prodhimin e enzimave për tretjen e tyre.
Ndikimi i mikrobiomës së zorrëve
Mikrobioma e zorrëve të njerëzve, e cila përbëhet nga triliona baktere, përshtatet me ushqimin që konsumojnë ata. Studimet kanë treguar se ndryshimet në mikrobiomë ndodhin shpejt, madje brenda një dite, por ato janë të kthyeshme sapo ushqimi të ndryshojë sërish.
Një studim, ku njerëzit kaluan në një dietë plotësisht me produkte shtazore, ka treguar se mikrobioma e tyre ka ndryshuar brenda 24 orëve, por u rikthye në gjendjen fillestare sapo ka përfunduar eksperimenti.
A është efekt psikologjik?
Për shumë njerëz që kanë ndaluar konsumimin e mishit për arsye etike, konsumimi i pavetëdijshëm i tij mund të shkaktojë reaksione emocionale.
“Disa njerëz mund të ndihen jashtëzakonisht të trishtuar ose të zemëruar” ka thënë Kersten duke shtuar se kjo mund të ndikojë edhe në reagimet fizike të organizmit.