Sipas burimeve, kompania telefonike serbe “Telekom Srbija” ka ofruar 155 milionë euro për blerjen e kompanisë “IPKO”, pasiqë shitja e kësaj kompanie është pjesë e strategjisë 2019-2023, për të konsoliduar veprimtarinë e saj ose përmes zgjerimit ose përmes shitjes së investimeve në tregjet ku operon.
Nga 10 ofertat e pranuara, “Telekom Srbija” ka ofruar shumën më të lartë për blerjen e kompanisë “IPKO”. Ekspertët vlerësojnë se në rast se do të ndodhte një gjë e tillë, atëherë do të vihej në rrezik të paparë siguria kombëtare.
Po ashtu mësohet se Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare e ka parashikuar që mund të vinte një situatë e tillë, dhe paraprakisht ka marrë veprimet si në vijim. Me datë 25 korrik 2019, Bordi i ARKEP i kryesuar asokohe nga Kreshnik Gashi, tani Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në një vendim të nxjerrë, duke aprovuar kërkesën e IPKO Telecommunications LLC për ripërtëritjen e autorizimit për dhënien e së drejtës së shfrytëzimit të radio spektrit frekuencor të nevojshëm: sipas pikës 3 të Shtojcës 1, të po këtij vendimi, ka paraparë se: “Autorizimi Individual i specifikuar për operatorin, nuk mund të shitet, jepet me qira, të transferohet apo të jepet si garanci, pa miratimin paraprak nga ARKEP. Asnjë ndryshim i kontrollit të operatorit qoftë i drejtpërdrejt apo i tërthortë nuk mund të bëhet pa lejen paraprake me shkrim të ARKEP”. Kjo lë të nënkuptohet se kompania IPKO Telecommunications LLC nuk mund të ndërroj pronarin e saj, dhe nuk mund ti shes aksionet, tek një kompani tjetër, pa miratimin paraprak të ARKEP-it. /RTKLive/