Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, gjatë konferencës për ecurinë e çështjes për ish-krerët e UÇK-së ka deklaruar se Nazim Bllaca ka vdekur.
“Prokuroria vazhdon të mbështetet tek një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Kishte informata që ka qenë aset serb, i paguar nga Serbia”, ka thënë Emmerson, duke dhënë kështu një lajm për të cilin nuk është ditur asgjë në Kosovë.
Emri i Nazim Bllacës u bë shumë i njohur në vitin 2009 kur kishte deklaruar se ka bërë vrasje në emër të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), pjesë e të cilit ishte vetëdeklaruar se ka qenë.
Pas kësaj deklarate, që bëri zhurmë fort të madhe, EULEX-i e mori në mbrojtje si dëshmitar i mbrojtur.
Në këtë cilësi, Nazim Bllaca u largua nga Kosova dhe vendndodhja e tij nuk dihet.
Klankosova.tv ka kontaktuar me ish-avokatin e Nazim Bllacës, Osman Havolli, i cili ka deklaruar se nuk ka njohuri nëse Nazim Bllaca ka vdekur ose jo, duke shtuar se familjarët e këtij të fundit nuk ndodhen në Kosovë dhe verifikimi i këtij informacioni që sot e dha Ben Emmerson është i vështirë.