Bitcoin ka pësuar një rritje meteorike gjatë vitit 2024, duke arritur një rekord të ri prej 94, 549 dollarësh të mërkurën, më 13 nëntor.
Me monedhën kryesore kriptografike që po i afrohet kufirit prej 100 mijë dollarësh, investitorët dhe analistët po pyesin: a do ta arrijë Bitcoin këtë objektiv deri në fund të vitit?
Komuniteti i kriptomonedhave është përfshirë nga një optimizëm i kujdesshëm. Mbështetja institucionale, zhvillimet politike të favorshme pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhje presidenciale amerikane – përfshirë premtimin për të krijuar një rezervë strategjike të Bitcoin – dhe themelet e forta të tregut po nxisin ndjenjat optimiste.
Megjithatë, shqetësimet për strukturën e tregut, korrigjimet e mundshme afatshkurtra dhe pasiguritë për afatet kohore po e zbehin këtë entuziazëm, transmeton Telegrafi.
Një nga faktorët më të rëndësishëm që po nxit rritjen e Bitcoin është fluksi i investimeve. Gjigantët financiarë si BlackRock jo vetëm që kanë shtuar Bitcoin në bilancet e tyre, por gjithashtu kanë nisur ETF (Fondet e Këmbyeshme në Bursë) për Bitcoin, duke tërhequr një rekord prej 2.6 miliardë dollarësh pak pas zgjedhjeve në SHBA, transmeton Telegrafi.
“Nëse merrni parasysh faktin se kompani të mëdha si BlackRock dhe institucione të tjera financiare të rëndësishme po mbajnë këtë aset në bilancet e tyre, ky është një realitet shumë ndryshe nga çdo cikël i mëparshëm për këtë aset”, tha për Newsweek, J.D. Seraphine, CEO i platformës së verifikimit me bazë në AI për kripto, Raiinmaker.
Miratimi dhe adoptimi i ETF-ve për Bitcoin ka siguruar një qasje më të lehtë për investitorët tradicionalë në tregun e kriptomonedhave. Ky miratim institucional shihet si një vlerësim i ligjshmërisë dhe potencialit afatgjatë të Bitcoin.
Fitorja e Trump nxit rritjen e çmimit të Bitcoin
Natyrisht, fitorja e fundit presidenciale e Trumpit është parë si një katalizator pozitiv për trajektoren e çmimit të Bitcoin. Shumë në industrinë e kriptovalutave presin që administrata e Trumpit të sjellë rregullore më miqësore për kriptomonedhat.
“Fitorja e Trumpit padyshim që ka përshpejtuar lëvizjen e çmimit në këtë cikël”, theksoi Seraphine dhe shtoi se “padyshim ka shumë entuziazëm rreth ardhjes së Trumpit në detyrë dhe krijimit të qartësisë rregullatore për kriptomonedhat në SHBA”.
Gabriele Giancola, CEO i Qiibee, mbështeti këtë mendim, duke thënë për Newsweek se “performanca e Bitcoin historikisht lidhet me ngjarje të rëndësishme gjeopolitike dhe ekonomike, dhe pasojat e zgjedhjeve në SHBA mund ta çojnë BTC-në në 100 mijë dollarë këtë vit ose menjëherë pas një rizgjedhjeje të mundshme të Trumpit”.
Kjo po frymëzon edhe politikanë të tjerë globalisht për t’u angazhuar me Bitcoinin. Kandidati presidencial polak, Sławomir Mentzen ka premtuar të krijojë një rezervë strategjike të Bitcoinit nëse fiton zgjedhjet e vitit 2025.
Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se zhvillimet politike do të jenë të mjaftueshme për të mbështetur rritjen e Bitcoin.
Lorien Gamaroff, CEO dhe bashkëthemelues i platformës për kuleta dhe pagesa Bitcoin, Centbee, paralajmëroi kundër varësisë së tepërt nga figurat politike.
“Por a mundet komuniteti i kriptomonedhave të përballojë të vendosë shpresat tek një lider, historia e të cilit është plot me premtime të thyera?”, shkroi ai në LinkedIn.
Çfarë është “halving” i Bitcoin-it?
Ritmi i ulur i prodhimit të Bitcoinit si rezultat i ngjarjes së fundit të “halving” ka tkurrur ofertën, ndërsa kërkesa vazhdon të rritet. Një ngjarje “halving” ndodh kur minatorët shpërblehen për krijimin e blloqeve të rinj të Bitcoin pas përgjysmimit. Kjo ndodh përafërsisht çdo katër vite ose pas minimit të 210 mijë blloqeve.
Volumet e tregtimit kanë arritur nivele rekord, dhe paqëndrueshmëria ka rënë krahasuar me periudhat e mëparshme të rritjes, duke treguar një treg më të pjekur.
Modelet historike sugjerojnë se pasi Bitcoin tejkalon rekordin e mëparshëm të çmimit, shpesh përjeton rritje të konsiderueshme.
“Nëse studioni historinë e çmimit të BTC-së, ajo ndjek një model shumë të parashikueshëm”, shpjegoi Seraphine dhe shtoi se “kur e kalon rekordin e mëparshëm historik, historikisht arrin nivele shumëfish më të larta se ai rekord”.
Pavarësisht treguesve optimistë, ekspertët paralajmërojnë për faktorë të mundshëm që mund të ngadalësojnë ose të përmbysin këtë rritje.
Kris Marszalek, CEO i Crypto.com, shkroi javën e kaluar në platformën X se “Duhet të ndodhin disa procese para se të synohet 100 mijë dollarëshi. Ju lutem menaxhoni rrezikun me kujdes”.
“Të gjitha kombet duhet të shesin rezervat e tyre të arit të padobishëm dhe të blejnë Bitcoin”, shkroi ai më 15 nëntor.
Skadimi i opsioneve të kriptovalutave mund të shkaktojë korrigjim
Një skadim i madh i opsioneve, me vlerë 11.8 miliardë dollarë më 27 dhjetor, mund të sjellë paqëndrueshmëri dhe të ndikojë në dinamikën e çmimit, sipas BNC.
Kjo datë përkon me përfundimin e kontratave të opsioneve të kriptove-derivate që u japin tregtarëve të drejtën (por jo detyrimin) për të blerë ose shitur një aset me një çmim të caktuar.
Giancola përmendi mundësinë e një korrigjimi afatshkurtër “me rritjet e shpejta të çmimeve që kemi parë kohët e fundit, një korrigjim afatshkurtër brenda një ose dy muajve është i mundshëm”.
Ai mbetet optimist për perspektivën afatgjate “megjithatë, perspektiva afatgjate për Bitcoin mbetet jashtëzakonisht e fortë”.
Ndërkohë që konsensusi anon drejt arritjes së Bitcoin në 100 mijë dollarë, ekspertët janë të ndarë për afatin kohor.
Parashikimet variojnë nga fundi i vitit 2024 deri në fillim të vitit 2025.
Pavarësisht ndarjeve për kohën, shumica e ekspertëve theksojnë se kjo është më shumë çështje “kur” sesa “nëse”.
Ata paralajmërojnë për korrigjime të mundshme gjatë rrugës, por mbeten të bindur se faktorët themelorë dhe institucionalë që mbështesin rritjen e Bitcoin janë më të fortë se në ciklet e mëparshme. /Telegrafi/