Në një artikull të publikuar në mediumin The Guardian, Devi Sridhar, hulumtuese amerikane për çështjet e shëndetësisë, ka diskutuar rreth rrezikut të vazhdueshëm të gripit të shpendëve (H5N1) dhe mundësinë që ky virus të ndryshojë dhe të bëhet kërcënim më i madh për shëndetin e njerëzve në mbarë botën.
Virusi veçse ka shkaktuar dëme të mëdha, duke përfshirë mbytjen masive të pulave dhe mungesën e vezëve, por përhapja e tij te zogjtë e egër, kafshët shtëpiake dhe gjitarët, ka ngritur shqetësime. Megjithëse ende nuk ka transmetim të drejtpërdrejtë nga njeriu te njeriu, mundësia që ky virus të ndryshojë dhe të shpërthejë në një pandemi ekziston, sipas saj.
Sridhar ka theksuar se ani pse shumica e rasteve të gripit të shpendëve tek njerëzit kanë qenë të lehta, mund të ndodhin ndryshime.
“H5N1 ka qenë vdekjeprurës për shumë lloje të zogjve dhe maceve. Në një rast të ri në Kanada, një adoleshent u shtrua në spital me pneumoni të rëndë pas infektimit nga një soj i ndryshëm i virusit. Deri tani, të gjitha rastet e konfirmuara në SHBA gjatë vitit të kaluar ishin të lehta dhe asnjë nuk ka kërkuar hospitalizim”, ka thënë Sridhar.
Kjo tregon se shkencëtarët nuk e kuptojnë plotësisht pse disa raste janë më të lehta, ndërkohë që të tjera janë më të rënda.
Përgatitja për këtë kërcënim është shumë e rëndësishme.
Sridhar ka sugjeruar se qeveritë duhet të kenë strategji të fortë për testimin dhe diagnostikimin e rasteve, për të mbledhur të dhëna të sakta mbi përhapjen dhe rrezikun e virusit.
Përveç kësaj, ajo ka theksuar nevojën për të pasur vaksina dhe medikamente antivirale të gatshme. Aktualisht, Britania ka një vaksinë të miratuar dhe ka grumbulluar 5 milionë doza, por kjo vaksinë nuk është e specifikuar për sojin aktual të virusit.
Sridhar ka treguar gjithashtu se procesi i prodhimit të vaksinave është kompleks dhe kërkon shumë kohë. “Vlerësohet se mund të duhen të paktën gjashtë muaj deri te një vaksinë e miratuar, gjë që e bën të vështirë reagimin e shpejtë në rast emergjence”, ka thënë ajo.
Sridhar gjithashtu ngre shqetësimin për menaxhimin e përhapjes së virusit duke thënë se nëse soji aktual është i butë për njerëzit, a do ta lejonin zyrtarët përhapjen e tij duke vaksinuar grupet më të rrezikuara?
“Çfarë ndodh nëse ky virus bëhet më serioz për njerëzit dhe spitalet mbushen?”, ka thënë ajo.
Në fund, Sridhar ka theksuar se për momentin, ky virus nuk është kërcënim i madh për shumicën e popullatës, por nëse situata ndryshon, tema nuk do të mund të shmanget.
Ajo ka sugjeruar se është më mirë të përgatitemi që tani, për të siguruar që mund të përgjigjemi shpejt dhe me efikasitet nëse rreziku bëhet më i madh.