A e futi presidenti Thaçi me veturë zyrtare Behgjet Pacollin nga Shqipëria në Kosovë?

Në Policinë e Kosovës e kanë pranuar se presidenti Hashim Thaçi dje kishte qëndruar për disa orë në Shqipëri dhe ishte kthyer në Kosovë. Edhe pse ende nuk është konfirmuar, ka dyshime se presidenti Thaçi në Shqipëri kishte qenë për ta sjellë në Kosovë, Behgjet Pacollin i cili dje me avionin e tij privat kishte udhëtuar nga Zvicra për në Tiranë.

Pacolli kishte shprehur interesim që të vinte në Kosovë për të marrë pjesë në votimin e qeverisë së re e cila pritet të ndodhë gjatë kësaj jave, por atij i ishte thënë se do t’i nënshtrohej karantinës për 14 ditë siç i bëhet secilit qytetar kosovar që kthehet nga jashtë shtetit për në Kosovë.

Pacolli si deputet i Kuvendit të Kosovës nuk ishte pajtuar me këtë duke thënë se ai për dy muaj ka qenë i izoluar në shtëpinë e tij në Lugano të Zvicrës dhe ka paraqitur edhe dokumente të lëshuara nga mjekët për këtë. Ai pretendon se është i sigurt se nuk është i infektuar me koronavirus, dhe është e paarsyeshme që të mbahet i izoluar në Kosovë për 14 ditë. Për më shumë Pacolli e ka quajtur diktaturë qeverinë Kurti, e cila po ja kërkon këtë, duke mos i lejuar që ta kryejë punën e tij si përfaqësues i popullit.

Pas gjithë kësaj, Pacolli kishte vendosur që me avionin e tij privat të ateronte në Tiranë dhe jo në Prishtinë.

Por atij sërish i duhej që ta kalonte kufirin dhe aty do ta priste policia, e cila sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, do të mund ta detyronte që të karantinohej për 14 ditë në konviktet në Prishtinë.

Tani ka supozime se Pacolli është futur në Kosovë, por me ndihmën e presidentit Thaçi i cili dje ka qëndruar në Shqipëri për disa orë.

Policia e Kosovës, e ka konfirmuar për kallxo.com, se vetura e presidentit Thaçi e ka kaluar pikën kufitare në Vërmicë dy herë gjatë ditës së djeshme, duke shktuar në drejtim të Shqipërisë e më pas disa orë më vonë përmes të njëjtës pikë kufitare është kthyer në Kosovë.

Kallxo.com shkruan ta ketë parë një raport policor i cili i është drejtuar komandantit të pikës kufitare në Vërmicë, Arbër Telaku, ku thuhet se Presidenti ka kaluar në orën 19:20, i ulur në ulësen e parë të makinës. Raporti i policit thotë se nuk kanë arritur të shohin nëse prapa në veturë ka pasur persona të tjerë ulur për shkak se vetura ka pasur xhamat e zinj.

Në anën tjetër, komandanti i rajonit kufitar ku bënë pjesë Vërmica, Nexhmi Krasniqi në një bisedë për kallxo.com ka thënë se nuk i ka raportet sepse ato dërgohen në Prishtinë por atij i është thënë se eskorta ka kaluar në Shqipëri dhe është kthyer në Kosovë.

Reporteri.net, ka pyetur zyrën për media të Presidentit për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.