Nga të gjitha vaktet që konsumojmë në ditë, mëngjesi është absolutisht më i rëndësishmi. Këshillat e ekspertëve thonë se në mëngjes duhet të hamë sikur të ishim mbretër dhe mbretëresha, në sensin e marrjes së ushqyesve më të rëndësishëm. E megjithatë, këto këshilla shpesh bien në vesh të shurdhër, falë stilit kaotik të jetesës dhe jo vetëm.
Në shumicën e rasteve, njerëzit nuk kanë kohë të ulen në tavolinë e të hanë mëngjes, ndaj mjaftohen me një banane. Ky frut është padyshim mirëbërës për organizmin dhe i vjen në ndihmë zemrës dhe trupit. Banania mirëmban tensionin e gjakut, lufton depresionin, konstipacionin, urthin dhe ulçerën. Ky frut përmban hekur ndaj stimulon prodhimin e hemoglobinës.
Kur duhet ngrënë banania?
Në një kohë kur vlerat e bananes janë të pakundërshtueshme, ekspertët janë të ndarë mbi ngrënien e bananes me stomak bosh apo plot. Disa ekspertë thonë se bananet janë plot me kalium, fibër, magnez që e pajisin organizmin me shumë energji. Ata thonë se bananet duhen ngrënë çdo ditë edhe për vetë faktin se përmbajnë vitaminën B6. Sipas tyre, banania nuk duhet ngrënë me stomak bosh për arsyet e mëposhtme:
Sipas të dhënave niveli i lartë i sheqernave u jep energji, por kjo e fundit është afatshkurtër dhe më pas do të jeni të plogësht. Bananet ju ngopin shpejt dhe mund të ndiheni të përgjumur ose të lodhur. Për shkak të aciditetit ju mund të keni probleme me zorrët. Ekspertët britanikë shprehen se mirësia e bananes duhet shfrytëzuar pasi keni ngrënë mëngjes.
Për më tepër, përmbajtja e lartë e magnezit mund të prishë ekuilibrat mes kalçiumit dhe mangeznit në gjak duke shkaktuar një efekt të kundërt në sistemin kardiovaskular. Shumë profesionistë të tjerë janë të mendimit se frutat në përgjithësi nuk duhen konsumuar me stomak bosh. Një mënyrë e thjeshtë për t’i ngrënë ato është duke i kombinuar me ushqime të tjera.
Këshillat më të mira për konsumimin e bananes
Sugjerohet që bananen mund ta hani në mëngjes vetëm duke e kombinuar me ushqime të tjera, duke shmangur kështu shqetësime të panevojshme. Ju mund të hani tërshërë me qumësht me banane, ose të kombinoni fruta pylli, banane, drithëra dhe kos. /AgroWeb/