Ekspertët kanë shpjeguar se si sasia e vakteve dhe koha kur ato konsumohen mund të ndikojnë në shëndetin e njeriut, shkruan “The New York Times”.
Një shprehje e njohur që ka ekzistuar për shumë vite thotë : “Hani mëngjesin si një mbret, drekën si një princ dhe darkën si një i varfër”. Ekspertët thonë se është këshillë mjaft e mirë.
Por për fat të keq, kjo është krejt e kundërta e mënyrës se si shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara hanë, pasi shpesh, për ta, darka është vakti më i madh i ditës.
Marta Garaulet, profesoreshë e fiziologjisë në Universitetin e Murcias në Spanjë, ka thënë se kalon shumë kohë në SHBA dhe ka vënë re se amerikanët shpesh nuk kanë kohë të hanë një shujtë të madh deri në mbrëmje.
Ky është ndryshim i madh krahasuar me vendet evropiane, si Spanja, ku dreka është zakonisht vakti më i madh dhe darka është më e lehtë, për shembull, një supë me perime ose peshk, një fetë bukë me djathë dhe sallatë.
Shkencëtarët ende po studiojnë se si sasia e vakteve dhe koha kur konsumohen mund të ndikojë në shëndet. Por, ata thonë se darka duhet të jetë e lehtë.
Pse ka rëndësi madhësia dhe koha e ushqimeve?
Për dekada me radhë, studiuesit e të ushqyerit janë përqendruar tek ajo çfarë njerëzit hanë, dhe jo koha kur hanë. Nuk janë bërë shumë studime të mëdha ose afatgjata mbi ndikimin që ka koha e vakteve në shëndetin e njeriut.
Megjithatë, studimet që janë bërë deri më tani, kanë treguar disa lidhje të qëndrueshme.
Sipas një studimi të profesoreshës Nour Makarem, nga Universiteti i Kolumbisë, ata që konsumojnë përqindjen më të madhe të kalorive në mbrëmje, kanë më shumë mundësi të preken nga mbipesha, diabeti i tipit 2, tensioni i lartë i gjakut dhe nivele më të larta të inflamacionit.
“Në këtë rast, ky ndikim mund të lidhet me orën biologjike të trupit, e cila rregullon funksionimin e qelizave”, ka thënë Frank A.J.L. Scheer, nga spitali “Brigham and Women’s” në Boston.
Në mëngjes, trupi i njeriut është gatshëm të trajtojë shujtë të madh. Ai është më i përgatitur për të absorbuar lëndët ushqyese dhe për t’i shpërndarë ato në qeliza për t’i dhënë energji aktiviteteve të ditës. Por, ndërsa dita kalon, organet që ndihmojnë në metabolizmin e lëndëve ushqyese, si mëlçia dhe pankreasi, fillojnë të reagojnë më ngadalë.
Ky ndryshim është më i dukshëm kur shikohet në nivelet e sheqerit në gjak.
“Nëse konsumohen dy vakte identike, një në mëngjes dhe një në mbrëmje, shpërthimi i sheqerit në gjak pas vakteve do të jetë më i madh dhe do të qëndrojë më gjatë pas shujtës së mbrëmjes”, ka shpjeguar Scheer.
Ndërsa Garaulet ka thënë se, kur nivelet e melatoninës, hormonit që tregon se është koha për të fjetur, rriten një orë ose dy përpara gjumit, kjo ndalon sekrecionin e insulinës nga pankreasi, duke bërë që të jetë më e vështirë për trupin ta rregullojë sheqerin në gjak.
Nëse sheqeri në gjak është shpesh i ngritur për shkak të shujtave të mëdha në mbrëmje, kjo mund të rrisë rrezikun e tensionit të lartë të gjakut, inflamacionit kronik, mbipeshës dhe diabetit të tipit 2.
“Për më tepër, studimet kanë sugjeruar se konsumimi i vakteve të mëdha në mbrëmje mund ta rrisë aktivitetin e disa proceseve metabolike që çojnë në ruajtjen e yndyrës gjatë natës”, ka thënë Scheer.
Në një rishikim të vitit 2022 të nëntë provave për humbjen e peshës, studiuesit kanë zbuluar se ata që konsumonin më shumë kalori në mëngjes ose drekë humbën më shumë peshë sesa ata që konsumonin më shumë kalori në darkë.
Ata gjithashtu kishin nivele më të mira të insulinës, glukozës dhe kolesterolit LDL.
“Një studim tjetër që është bërë së fundmi ka treguar se njerëzit ndiheshin më pak të uritur gjatë ditës kur vaktin më të madh e konsumonin në mëngjes, sesa kur e konsumonin në darkë”, ka thënë
Alexandra Johnstone, profesoreshë në Universitetin e Aberdeen në Skoci, e cila drejtoi studimin.
Këshilla nga ekspertët
“Darka nuk duhet patjetër të jetë vakti më i vogël i ditës, por është më mirë që të mos jetë vakti më i madh dhe më e mira është të shmangni ngrënien vonë në mbrëmje”, ka thënë Makarem.
Ajo ka sugjeruar që njerëzit të kërkojnë mënyra të vogla për të konsumuar më shumë kalori gjatë ditës.
“Përpiquni të filloni me një mëngjes të pasur dhe të ushqyeshëm, që përfshin ushqime të pasura me proteina si djathi, vezët ose fasulet”, ka thënë Johnstone.
Ajo ka treguar se njerëzit shpesh i thonë se nuk janë të uritur në mëngjes, por sipas saj, kjo mund të ndodhë për shkak se kanë ngrënë shumë gjatë darkës.
“Gjithashtu, përpiquni të bëni kohë për një drekë të pasur. Kur të vijë koha për darkë, do të ndiheni më pak të uritur dhe do të jeni më pak të prirur të konsumoni një vakt të madh. Kjo mund t’ju ndihmojë të shmangni edhe ngrënien vonë të grickave”, ka thënë Garaulet
Nëse dikush ndihet shumë i uritur në darkë ose më vonë gjatë natës, Makarem ka sugjeruar të shmangen ushqimet e përpunuara dhe ato me sheqer dhe krip të shtuar.
“Në vend të tyre, përpiquni të konsumoni ushqime me pak kalori që do t’ju mbushin pa rritur nivelin e sheqerit në gjak, si bishtajore, peshk të pjekur, mish pule, perime, fruta dhe drithëra të plota”, ka thënë Makarem.