A do të shtrenjtohet rryma sërish për 35%? Katër vitet e fundit me rritjen më të lartë të tarifave të energjisë në Kosovë

Për 35% mund të shtrenjtohet tarifat e energjisë elektrike në Kosovë prej 1 prillit 2025 po qese Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) e aprovon kërkesën e kompanive të sektorit të energjisë ( KEDS, KESCO dhe KOSTT), raporton portali Front Online.

Nëse ndodhë një shtrenjtim i tillë, atëherë kjo do të jetë barrë e rëndë financiare për qindra mijëra familje kosovare, pasi që në 3 vitet e fundit tarifat e energjisë elektrike do të shtrenjtoheshin për hiç më pak se 150 për qind. Më herët, tarifat e energjisë elektrike janë shtrenjtuar për 115%, kjo ka ndodhur pas fillimit të luftës në Ukrainë para tri viteve. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur një shtrenjtim i tillë i rrymës në Kosovë.

“Front Online” ka dërguar pyetje tek ZRRE për t’i pyetur se a do të aprovohet kërkesa për shtrenjtim të energjisë elektrike, por deri në publikimin e këtij artikulli mediumi nuk ka marr përgjigje. As në KEDS e KESCO nuk janë përgjigjur se pse kanë kërkuar shtrenjtim të tarifave të energjisë.

Njohësit e çështjeve ekonomike e kanë vlerësuar këtë kërkesë për rritje të çmimit të rrymës për 35% si alarmante, duke akuzuar edhe Qeverinë aktuale për keqmenaxhimin në sektorin energjetik.

Shala: Qeveria po e përgatitë terrenin për rritjen e çmimit të energjisë, goditje e rëndë për ekonominë

Deputeti i rizgjedhur i PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar Qeverinë për mundësinë e një rritjeje të çmimit të energjisë në muajin që vjen.

Ai ka thënë se është afati kohor ligjor për shqyrtimin e tarifave dhe se institucionet e shtetit duhet të përgatiten për këtë fazë. “Është afati kohor ligjor i shikimit të tarifave dhe institucionet e shtetit duhet të parapërgatiten për këtë fazë. Nga ajo që shihet, qeveria në shkurt e ka përgatitë terrenin për një rritje të çmimit të energjisë për muajin që vjen e kjo s’do duhej të ndodhte”, shprehet Shala.

Ai ka akuzuar Qeverinë për vazhdimin e logjikës së keqqeverisjes në sektorin energjetik. “Goditje e rëndë për ekonominë dhe konsumatorin, logjika e keqqeverisjes në sektorin energjetik po vazhdon ende”, deklaroi Shala për “Front Online”.

Ish-ministri i Financave: Qytetarët do të mbesin pa bukë pas shtrenjtimit të serishëm të rrymës

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, është prononcuar për “Front Online” lidhur me mundësinë e një rritjeje të çmimit të energjisë, duke e cilësuar këtë si të paarsyeshme.

Ai ka thënë se nuk ka arsye për një shtrenjtim të rrymës prej 35%, pasi po hyjmë në sezonin e verës dhe prodhimi i energjisë në vend është i mjaftueshëm për të mbuluar konsumin brenda Kosovës.

“Se di çfarë arsye ka me u shtrenjtua rryma 35%, duke marrë parasysh që po hymë në sezonin e verës dhe prodhimi i energjisë në vend mjafton me mbuluar konsumin e energjisë brenda Kosovës. Kur nuk kemi nevojë me ble jashtë, prodhimi në KEK nuk është shtrejtu me periudhën që kemi lënë pas, s’ka arsye”, shprehet ai.

Shatri thotë se jeta e qytetarit është mjaftueshëm e vështirësuar, ata do të mbesin pa bukë për ta paguar rrymën. “Po pushteti i ka fituar do vota po krekosën që po punojnë për popull. 50% e shpenzimeve të përditshme i çojnë në pagesë të energjisë, kostoja e jetës  është e vështirësuar mjaftueshëm. Qytetarit mbesin pa bukë për ta paguar rrymën”, deklaroi Shatri.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ka reaguar për “Front Online” lidhur me mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë, duke e cilësuar atë si një hap të papërballueshëm për ekonomitë familjare.

Ai tha se kjo rritje do të ndikojë edhe në ngritjen e çmimeve të artikujve bazikë. “Kjo është e papërballueshme për ekonomitë familjare dhe bizneset. Kjo ndikon edhe në zinxhirin furnizues se tek gjithë artikujt bazikë me siguri do të ngritën çmimet”, theksoi Bellaqa.

Bellaqa ka shtuar se pagat janë të vogla dhe nuk mund të mbulojnë këto çmime të larta. “Pagat janë të vogla për këto çmime. Rritja e çmimit të rrymës është një hap që rrezikon kategoritë e qytetarëve me të hyra të ulëta”, përfundoi Bellaqa.