Ish-kryeministri që po synon postin e presidentit nuk dha përgjigje konkrete për këtë ambicie të tij.
“Nuk e kam përgjigje në këtë temë”, tha Ramush Haradinaj në një prononcim për media këtë të premte, njofton Klan Kosova.
Gjithashtu, ai nuk tregoi nëse do të dalin ose jo nga koalicioni nëse nuk bëhet president.
“Nuk jemi në këtë klimë të daljes dhe të hyrjes. Jemi në punë për të përkrahur vendin. Për temën e presidentit do ta gjejmë një zgjidhje të duhur për vendin”.
Në takimin me partnerët e koalicionit, Haradinaj tha se u diskutua për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ndërkaq, për konfirmimin ose jo të aktakuzës ndaj dy bashkëluftëtarëve të tij, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, Haradinaj tha se beson që lufta e pastër e UÇK-së do të vërtetohet.
“Kosova ka qenë çdo herë me ligjin. Kemi besuar në të gjitha etapat dhe drejtësia e ka vërtetuar luftën e pastër të UÇK-së, Ne besojmë që edhe në këtë rast do të ndodhë e njëjta. S’lëkundemi në luftën e drejtë dhe për të gjithë luftëtarët e të gjitha niveleve. Duke qenë se Kosova beson në ligj, ne do të vazhdojë me i pëkrahë qytetarët e Kosovës në bazë të ligjit. Kosova s’mund të pensionohet para ligjit”.