A do ta dërgojë Asociacioni vendin në zgjedhje? Kështu përgjigjet Visar Ymeri


Kohëve të fundit janë shtuar zërat për zgjedhje të parakohshme.

Madje, po thuhet që njëra ndër pikat që ndoshta mund ta dërgojë vendin në zgjedhje parlamentare mund të jetë tema e Asociacionit.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Visar Ymeri thotë për Front Online se zgjedhjet mund të jenë mjeti përmes të cilit kryeministri Kurti dhe Vetëvendosje synojnë ta ndajnë përgjegjësinë për zbatimin e marrëveshjes.

“Nëse do të shkojmë në zgjedhje ose jo për shkak të dialogut do të varet shumë prej dinamikës së dialogut. Nëse gjasat janë të mëdha që marrëveshja të zbatohet shpejtë (pra në gjysmën e parë të vitit) atëherë nuk mendoj se Kosova do të ketë mundësi të shkuarjes në zgjedhje sepse kjo do t’i shtynte afatet e zbatimit”, është shprehur ai.

Sipas tij, zvarritja e dialogut do të prodhonte paqartësi shtesë për Kosovën.

“Gjatë këtij viti për shkak të luftës në Ukrainë, luftës në Lindjen e Mesme, si dhe për shkak të zgjedhjeve në BE dhe në ShBA në vjeshtë jemi duke hyrë në një situatë politike globale shumë më të pa parashikueshme. Dhe në këtë drejtim zvarritja e procesit të dialogut mund të prodhojë paqartësi shtesë për Kosovën”, ka shtuar Ymeri.