Pas debatit të ditëve të fundit, Gazeta Blic, ka dërguar pyetje te Prokurori Special, pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Chris Bennett, lidhur me atë se a ka dërguar dosje kundër ish-krerëve të UÇK-së, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Në përgjigjen e Prokurorit Benett, dhënë për Gazeta Blic, thuhet se nuk japin informacione mbi hetimet e Prokurorisë Speciale, e as të emrave se kush ka dëshmuar kundër të akuzuarve.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk jep informacion mbi hetimin e saj”, thuhet në përgjigjen e Chris Bennett.
Vite më parë, ministrja e tanishme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kishte deklaruar se do të dërgojë dosje në Gjykatën Speciale, kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Madje, Gërvalla, pati thënë se “e gjithë Kosova e din kush është Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”.
Një deklaratë të tillë e kishte dhënë edhe për ish-shefin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilin e kishte quajtur njeri të botës së krimit.
E ditëve të fundit, të gjitha këto, u përdorën nga një pjesë e opozitës kosovare, duke kërkuar dorëheqjen e Donika Gërvallës, nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme.
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, që të shkarkojë ministren e Punëve të Jashtme.
Reagime kundër saj ka pasur edhe nga akterë të shoqërisë civile në vend.
Gjatë të mërkurës, lidhur me këtë kërkesë, reagoi vetë ministrja Gërvalla.
Në një shkrim në Facebook, Gërvalla nuk është tërhequr nga deklarimet e saj të mëhershme.
Ajo ka thënë se po dëgjon si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme.
Përmendi edhe guximin, duke thënë se e presin shumë punë.
Reagimi i saj i plotë:
Dje, sot por edhe nesër!
Asnjeherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit.
Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh.
Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit.
Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim.
Shumë punë na presin, vërtet.