Berisha: Pritjet tona legjitime janë shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve


Durim Berisha, këshilltar ligjor i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në Interaktiv të KTV-së se ekipi i tij pret që Kushtetuesja të vendosë se pas mocionit të mosbesimit shpërndahet parlamenti dhe shpallen zgjedhjet.

“Pritjet tona legjitime… dikush mund të thotë që është presion, por kjo është absurde… janë që bazuar me Kushtetutën e miratuar në Kuvend dhe dokumentet tona përgatitore, ato të merren parasysh dhe besojmë se janë të bazuara që të konstatohet se pas mocionit të mosbesimit shpërndahet parlamenti dhe shpallen zgjedhjet”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nëse Kushtetuesja vendos të kundërtën, “ne kemi dhënë alternativën tjetër, duke theksuar se është vetë kjo Gjykatë Kushtetuese që ia ka ndaluar presidentit çdo lloj vetiniciative në procesin e formimit të Qeverisë dhe gjithashtu se në asnjë normë të Kushtetutës dhe në asnjë dokument përgatitor nuk parashihet afat për propozim të kandidatit për kryeministër”.

Berisha paraprakisht ishte pyetur nëse kishte indikacione se Kushtetuesja do të vendoste kundër.

“Nuk mund të flas për indikacione. Për mua personalisht ka qenë e paarsyeshme që referimi në Forumin e Venecies në opinion po keqkuptohet si një trup këshilldhënës. Realisht Forumi i Venecies është organ brenda Komisionit të Venecies që mundëson komunikimin mes gjykatave kushtetuese anëtare. Në pyetjet që dërgohen, secili shtet nuk jep opinion rreth dekretit, por tregon se si rregullohet një situatë e caktuar në shtetin e tyre. Thjesht, secili shtet tregon praktikat e tij”, ka thënë këshilltari ligjor i Kurtit.

Sipas tij, dokumentet përgatitore, të cilat ka thënë se i ka analizuar me kujdes, “nuk lënë asnjë paqartësi”.

“Por duhet theksuar se Kushtetuesja është autoritet përfundimtar dhe e ka kompetencën ”, ka thënë ai.

Lidhur me opinionin e tij, të publikuar në Koha.net, Berisha ka thënë se “esenca e tërë shkrimit i referohet situatës së krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit”.

“Pati dhënë dorëheqe ish-kryeministri Haradinaj dhe mendohej se shpallja e zgjedhjeve duhet të bëhej menjëherë dhe unë pata arsyetuar se pas dorëheqjes nuk ka nevojë të shpallen zgjedhjet, por i takon Kuvendit ta bëjë tentimin e radhës. Lidhur me një paragraf të vetëm, që më ka ikur në atë shkrim, edhe sikur të kisha pasur një bindje të tillë, në momentin që sheh gjetjet përgatitore, do të kisha hequr dorë prej një mendimin të gabuar”, ka thënë ai.