Ish-eprori i UÇK-së Sadik Halitjaha është dëshmitari i 36-të i cili po dëshmon në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Në Gjykatën Speciale të hënën, para trupit gjykues ai është pyetur nga prokurori rreth një liste emrash.
Lista përmbante emra, të cilat ai i përshkroi si punonjës të ish-sistemit jugosllav.
Pjesë nga marrja në pyetje e Sadik Halitjahës:
Prokurori: Kjo listë nuk duhet të transmetohet për publikut. Dëshmitarë e shihni në të majtë keni dokumentin. A është ky dokumenti të cilit i referoheshit pak më përpara që thatë se ua ka treguar Prokuroria?
Halitjaha: I kam njohur dy-tre prej tyre që më kanë torturuar gjatë burgut.
Prokurori: Dëshmitarë, jemi në seancë të hapur, ndaj ju lutem që të mos i referoheni asnjë emri në këtë listë – thjeshtë me shifrat përkatëse të emrave të tyre apo mbiemrave. E kam vënë re se në intervistën e vitit 2020 me Prokurorinë, ju keni thënë se nuk e keni njohur personin me nr. 58 që e shihni në ekran, por që ka qenë polic me Policinë serbe.
Halitjaha: E vërtetë është, personi me numrin 58 ka qenë polic i Policisë serbe edhe pse ka qenë shqiptar me kombësi.
Prokurori: Shihni ju lutem nr. 53 dhe tregojuni gjyqtarëve nëse e njihni këtë emër dhe nëse po, nga e njihni atë?
Halitjaha: Ka qenë torturuesi im dhe ka punuar në shërbimin sekret jugosllav në Prizren, me numrin 53.
Prokurori: A e njihni numrin 54, pa e thënë emrin? 54-tën a e njihni?
Halitjaha: Pse mos t’ia them emrin z. prokuror që këta na kanë rreh, na kanë shkoq me dru e ne s’ia themi as emrin. Ka vdek ky majmun para dhjetë vitesh. E kam njoftë se ka qenë sekretar i Sekretariatit Sekret të Prizrenit.