Dëshmitari i 35-të po e vazhdon dëshminë e tij në rastin ku ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në fillim të seancës së të hënës mbrojtësi i Rexhep Selimit, Goeffry Roberts, kërkoi mbyllje të seancës, gjë që e pranoi gjykata pa u përmendur ndonjë arsye.
Ngjashëm, në seancën e mbajtur të enjten ky dëshmitar i mbrojtur dha dëshmi kryesisht në seancë të mbyllur. Prokurorja Lies van Welde në përmbledhjen për këtë dëshmitar tha se ai kishte dëshmuar në prokurori paraprakisht për ndalim e keqtrajtim.
“Dëshmitari 0444 u arrestua nga 8 ose 9 pjesëtarë të armatosur të UÇK-së, shumica kishin maska, e vendosën në një automjet me duart e lidhura prapa (në shpinë) dhe me maskë në kokë. Në automjet e morën edhe një të arrestuar tjetër. Të dy këta persona i çuan në një dhomë dhe u mbajtën të ndaluar së bashku dëshmitari me numër 0444 u rrah kaq shumë saqë nuk merrte dot frymë, ra në tokë dhe humbi ndjenjat. Dëshmitarit nuk iu dha asnjë arsye për arrestimin e tij apo për ndalimin e tij. Pas katër ditësh dëshmitari 444 u lirua nga rojet e burgut me uniforma të zeza, derisa të ndaluarit e tjerë mbetën në dhomë. Pas lirimit iu desh të merrte trajtim mjekësor dhe medikamente për dhimbjet që ja kishte shkaktuar rrahja”, tha Welde derisa lexonte përmbledhjen për këtë dëshmitar.
Dëshmitari tha se pjesëtarët e UÇK-së e kishin hipur në veturë dhe ja kishin lidhur duart.
Gjatë transmetimit të seancës në faqen e Dhomave të Specializuara, veçanërisht asaj të dëshmitarit të 35-të, nuk janë dëgjuar përgjigjet e shkurtra siç janë ato me “po” ose “jo”.
Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, e pyeti dëshmitarin lidhur me kontradiktat në deklaratat e tij lidhur me kohëzgjatjen e keqtrajtimit gjatë ndalimit të tij.
“Pra nuk keni ide se sa kohë ka zgjatur rrahja apo se sa e ashpër ka qenë”, pyeti Roberts. E dëshmitari iu përgjigj se nuk kishte se si ta dinte këtë. “Nuk kam pasur orë ta mati sesa më kanë rrahur. Pesë minuta apo ka mundur të jetë një orë, ku ta di unë? Orë s’kam pasur”, tha dëshmitari.