Prokurori Afrim Shefkiu ka autorizuar policinë e Kosovës që ta intervistojë ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në lidhje me rastin e vrasjes së aktivistit Astrit Dehari.
Sipas autorizimit thuhet se ministrja Haxhiu duhet të sqarohet lidhur me një postim më 5 nëntor në Facebook se cila kishte thënë se “provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund rastin”.
Sipas autorizimit që Haxhiu e ka postuar në Facebook, thuhet se “e njëjta duhet të sqarohet se cilat janë ato prova për të cilat ajo pretendon dhe nëse po, kush janë kryesit e veprës penale sipas saj”.
Haxhiu në reagimin e saj në Facebook ka thënë se ajo do të japë dëshmi.
“Prokurori Special, Afrim Shefkiu, paska kërkuar nga unë që të përgjigjem se kush janë vrasësit e Astrit Deharit! E gjithë kjo bazuar në një status timin në rrjetet sociale, në përvjetorin e Astrit Deharit. Është një gjë e thjesht që duhet ta dijë një prokuror. Ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë prokuror e as gjyqtar. Unë nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e tij. Lëndën e Astrit Deharit, prokurori Afrim Shefiku e ka që nga viti 2019 dhe ende nuk ka asnjë rezultat në zbardhjen e këtij rasti. Ai është përgjegjës për t’i treguar familjes dhe qytetarëve se kush janë vrasësit! Unë natyrisht do të jap dëshminë time lidhur me këtë. Prokurori Shefiku dhe eprori i tij, që nuk mund të na heshtin, në kërkesën tonë për drejtësi”, thuhet në postimin e Haxhiut.