Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta është paraqitur mëngjesin e së mërkurës në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
I pyetur nga Euronews Albania për arsyen e paraqitjes së tij në SPAK, Meta u shpreh se është thirrur për atë që e cilësoi telenovela CEZ-DIA.
“Jam thirrur për telenovelën CEZ- DIA, meqenëse jeni lajmëruar herët dhe po përballoni reshjet e shiut. Është një telenovelë që është gjykuar nja dy herë që është rihapur për rastin konkret në dhjetor 2019 nga një kallëzues i rremë që është dënuar 2 herë nga gjykata për shpifje dhe një herë për dhunë në familje”, tha Meta për gazetarin Eni Ferhati.
Kjo është hera e dytë që Meta thirret në SPAK për të njëjtën çështje.
Dosja CEZ-DIA është një nga më të vjetra në Prokurorinë e Posaçme dhe e udhëheq vetë kreu i SPAK Altin Dumani.
Afera CEZ-DIA nuk ka lidhje me privatizimin, por me një operacion korrupsioni pas privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë (OSSH).