Udhëheqësi i bandës shqiptare tregon pse nuk e grabiti shtëpinë e Messit


Thyerjet dhe grabitjet në shtëpitë e të famshmëve po kthehen në trend të rrezikshëm. Futbollisti i njohur spanjoll, Sergio Ramos dhe familja e tij ishin të fundit që përjetuan grabitjen. Por Ramos nuk është i vetmi nga bota e futbollit.

Gazeta e madhe spanjolle, AS, ka publikuar një intervistë me një prej hajdutëve. Sipas AS bëhet fjalë për udhëheqësin e një bande shqiptare, përkatësisht “Shqipëri – Kosovë”. Ai ka treguar për mediumin e fuqishëm spanjoll disa nga vjedhjet e mëdha.

Është Carlos Quilez ai që e intervistoi kreun e hajdutëve në emisionin “Sumario Abierto”. Atij i është referuar si Alberto. Janë përmendur vjedhjet në shtëpitë e Karim Benzemas, Cristiano Ronaldos dhe Johan Cruyffit, shkruan AS.

“Ne e grabitëm Benzeman në rastin kur ai e kishte të pamundur të na zinte”, tha Alberto. “Ne gjithashtu provuam të vjedhim në shtëpinë e Cristianos në Madeira, por plaçka nuk ishte joshëse”.

Në vitin 2012 kriminelët shënjestruan shtëpinë e ikonës Cruyff, pa e ditur se ishte shtëpia e tij. Kur u futën brenda panë fotografitë e Cruyffit me Dennis Bergkampin dhe hajdutët kuptuan se ishin në shtëpinë e një të famshmi. Vodhën gjësende të ndryshme me vlerë, që besohet se kushtuan deri në 20 mijë euro.

“Kreu i bandës Shqipëri – Kosovë, i cili është në arrati aktualisht, tregoi se ka refuzuar disa grabitje. Ka përmendur një futbollist të veçantë që nuk e ka shënjestruar dhe nuk do ta shënjestronte. Ai quhet Lionel Messi. Madje deklaroi se ai dhe të tjerët kishin mundësi për ta grabitur Messin”, ka shkruar AS.

“Disa herë kam ndalur njerëzit që donin të vidhnin në shtëpinë e Messit, njerëzit që më kanë pyetur, por unë nuk mund t’i ndalojë të gjithë. Atëherë kam mundur dhe jam krenar për këtë”, ka deklaruar udhëheqësi i bandës.

Ai ka theksuar se kanë mundur ta grabisin shtëpinë e prindërve të Messit.

“Rreth një vit më parë të tjerë e ofruan (për vjedhje) shtëpinë e prindërve të tij, të familjes së Messit. Messi ishte në Paris në atë moment. Shkova për ta shikuar, sepse e njoh shumë mirë dhe e njoh shumë mirë zonën. Nuk doja për shkak të respektit për Messin. Nuk e kam bërë pasi kam respekt ndaj tij”.

AS ka shkruar se i ashtuquajturi Alberto drejton më shumë se 100 njerëz “që varen prej tij ose kërkojnë leje dhe informacione prej tij për të kryer vjedhje”.

“Kjo është arsyeja pse ai ka kapacitet për të siguruar që grupet e tjera të mos kryejnë vjedhje specifike, përfshirë ato që kanë të bëjnë me Messin”, ka shkruar mediumi spanjoll.