Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ka shpenzuar plot 15 mijë e 847 euro. Këto para u shpenzuan nga ministri Hajrulla Çeku dhe dy zëvendësit e tij Daulina Osmani dhe Sylejman Elshani.
Sipas të dhënave që ka siguruar Telegrafi nga qasja në dokumentet publike, vetëm ministri Çeku për gjashtë muaj ka shpenzuar 8 mijë e 100 euro.
Zëvendësministrja Daulina Osmani shpenzoi 4 mijë e 046 euro, ndërkaq zëvendësministri Sylejman Elshani i vetëm shpenzoi 2 mijë e 414 euro.
Nga 15 mijë e 847 euro sa u shpenzuan në total për gjashtë muaj nga treshja e MKRS-së, 3 mijë e 834 euro u shpenzuan vetëm për bileta për udhëtime zyrtare. Këto udhëtime u realizuan në Vienë, Gjenevë, Turqi, Bruksel, Venecia, Palermo e Kongo.
Gjatë këtyre udhëtimeve zyrtare, ministri Çeku dhe zëvendësministrja Osmani morën edhe mëditje. Të dy së bashku për gjashtë muaj morën 1 mijë 152 euro, prej tyre 712 euro mori ministri Çeku dhe 440 euro zëvendësministrja Osmani.
Sipas të dhënave nga qasja në dokumentet publike, figuron se për akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare, u shpenzuan 1 mijë e 644 euro.
Për dreka dhe darka zyrtare, treshja e MKRS-së përfshirë edhe kabinetin e ministrit shpenzuan në total 4 mijë e 479 euro.
Disa nga këto dreka dhe darka u shtruan me rastin e vizitës së futbollistes me famë botërore Kosovare Asllani, pastaj për delegacionin nga Shqipëria përkatësisht zëvendësministrin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në Shqipëri dhe krerëve të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, shkruan Telegrafi.
Reklama
Nga janari deri në korrik, Çeku, Osmani shpenzuan 473 euro për telefoni mobile, ndërkaq zëvendësministri Elshani nuk shpenzoi asnjë cent.
Sa i përket shpenzimeve për derivate treshja e MKRS-së, shpenzuan 3 mijë e 994 euro.
Prej tyre 1 mijë e 661 euro u shpenzuan vetëm nga ministri Hajrulla Çeku, 520 euro të tjera nga zëvendësministrja Daulina Osmani dhe 1 mijë e 812 euro nga zëvendësministri Sylejman Elshani. /Telegrafi/