Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se policët elitarë të Kosovës janë detyruar të protestojnë kundër injorimit e nënçmimit që sipas tij, po u bëhet nga Qeveria e Kosovës.
“E vërteta e kësaj Qeverie! Këtë fotografi nuk është dashur ta shohim kurrë! Posaçërisht, pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të vendit tonë. Njësiti Special Intervenues dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, krenaria e shtetit tonë, detyrohen të protestojë para Qeverisë së vendit të vet, kundër injorimit dhe nënçmimit që po ju bëhet nga ta. Përtej fjalëve boshe për Policinë e Kosovës, fatkeqësisht, kjo fotografi është e vërteta e turpshme e kësaj Qeverie të paaftë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, ku ka bashkangjitur edhe një fotografi të protestës.
Policët elitar kanë kërkuar shtesa më të lartat sesa ato që i ka propozuar Qeveria si dhe kategorizim të vendeve të punës.
Sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për NJSI-në janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë.