Njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, i njohur si FIT sot ka protestuar para Qeverisë së Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj propozimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat e rrezikshmërisë.
Përfaqësuesi i FIT-it gjatë protestës theksoi se pakënaqësitë e tyre nuk datojnë nga sot, por janë më shumë se 10 vjet.
“Jemi njësi elite e Policisë së Kosovës. Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga sot, por më shumë se 10 vite kemi marr premtime e asnjëra nuk është realizuar. Tek Ligji i pagave edhe pse kemi kërkuar ndryshim para nëntë muajsh, kërkesat tona nuk janë realizuar”, ka thënë përfaqësuesi i FIT-it.
Ai po ashtu kërkoi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të marr parasysh kërkesat e tyre.
“Kryeministër mos luani me dinjitetin tonë dhe me ndjenjat e familjeve tona. Kemi dëshmuar veten në raste të shumta dhe në sulmin e fundit të 24 shtatorit. Kërkojmë nga ana juaj që kërkesa për shtimin e rrezikshmërisë të merret parasysh”, theksoi ai.
Përfaqësuesi i FIT-it bëri të ditur se kërkesat e tyre janë: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirjen në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të caktohet në 50 përqind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.
Ai po ashtu tha se kërkesat e tyre janë ekonomike dhe sociale.
“Kërkojmë dhe mirëkuptim në këtë aspekt pasi jemi pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe nuk dëshirojmë që të përdoremi nga askush për qëllime politike”.