Leo Messi do ta fitojë sonte Topin e Artë, të tetin në karrierë?

Lionel Messi do ta fitojë sonte Topin e Artë, të tetin në karrierën e tij të lavdishme.

Për këtë është i sigurt eksperti i transfereve dhe gazetari i njohur sportiv, Fabrizio Romano.

Ai e ka bërë një postim në rrjetet sociale, duke zbuluar se ka siguruar konfirmime që ylli argjentinas do ta fitojë sonte çmimin kryesor në gala mbrëmjen që do të mbahet në “Théâtre du Châtelet” të Parisit në Francë.

Kjo do të jetë një arritje historike për 36 vjeçarin, i cili edhe ashtu e mban primatin me më së shumti Topa të Artë të fituar – 7.

Vendimtar në këtë sukses të Messit duket se do të jetë suksesi në Kupën e Botës me Argjentinën.

Ndërkohë, rivali kryesor i ish-futbollistit të Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit, aktualisht pjesë e Inter Miamit, do të jetë Erling Haaland.

Sulmuesi norvegjez e pati një vit të paharrueshëm me Manchester Cityn, me të cilin e fitoi Ligën e Kampionëve dhe Premierligën, ndërsa pati edhe paraqitje fenomenale në aspektin individual, duke thyer madje edhe rekorde.

Sidoqoftë, ish-futbollistit të Salzburgut dhe Borussia Dortmundit duket se do t’i duhet të presë për një rast tjetër për ta fituar Topin e Artë.