Kampioni i botës në peshën e rëndë në boks Tyson Fury ka marrë një fitore të diskutueshme me pikë ndaj ish-luftëtarit të UFC-së, Francis Ngannou në Arabi Saudite.
Ngannou 37-vjeçar, e rrëzoi Furyn një herë në rundin e shtatë me një të majtë.
Derisa një gjyqtar vlerësoi luftën 95:94 në favor të Ngannous, dy të tjerë vlerësuan luftën (96:93 dhe 95:94) në favor të Furyt.
Titulli WBC, të cilin e mban Fury, nuk ishte në dispozicion në këtë luftë.
“Nuk ishte definitivisht në skenar. Më zuri me një goditje të fuqishme. Nuk isha i lënduar. U ngrita dhe tregova boksin tim. Ai ka goditje të fuqishme dhe e respektoj shumë. Më ka dhënë një nga luftërat më të forta në dhjetë vjetët e fundit”, tha Fury për “TNT Sports”.
Për Ngannoun ishte debutim në boksin profesionist.
Fury mbetet i pamposhtur. I ka 34 fitore e një barazim.
Ngannou ndërkohë tha se është i vendosur të vazhdojë.
“Kampi im stërvitor ishte vetëm tre muaj e gjysmë dhe pati lëndim. Por, nuk dua të nxjerri arsyetime. Do të shikoj ta përmirësoj veten”, tha Ngannou.
Me fitoren Furyt i është hapur rruga për një meç për unifikim të titujve në peshën e rëndë me Oleksandr Usykun. Usyk i ka titujt WBA, IBF dhe WBO.