Veriu i Kosovës, Elshani: Nuk mund të përjashtojmë asnjë mundësi të ndonjë sulmi të ri

Situata aktuale në veri të Kosovës është e qetë, por e brishtë dhe delikate.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani.

Sipas tij, duke marrë parasysh situatën delikate në të cilën ndodhen, policia nuk mund të përjashtojë asnjë mundësi në veri për ndonjë sulm të mundshëm të ri.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës

Por, siç u shpreh ai Policia e Kosovës është e gatshme për çdo rast që mund të ndodh.

“Situata në veri të vendit është e qetë për momentin, por e brishtë dhe delikate. Por, duke marrë parasysh situatën delikate në të cilën ndodhemi, nuk mund të përjashtojmë asnjë mundësi në veri të ndonjë sulmi të mundshëm. Policia e Kosovës është e gatshme për çdo rast që mund të ndodh”, ka thënë Elshani.

Si po ashtu theksoi se rasti i Basnjkës (24 shtatorit) është i rëndë i cili vazhdon të hetohet.

“Rasti i Banjskës është rast i rëndë i cili vazhdon të hetohet dhe kudo që na dërgojnë hetimet ne shkojmë”, tha Elshani.

Ndryshe, më 24 shtator, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Si pasojë e sulmit, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në kundërpërgjigje të sulmit terrorist, Policia vrau tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist e ka marrë Milan Radoiçiq, i cili pas sulmit dha dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, parti kjo e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.