Shega është frutë që përmban pak kalori e yndyra por ka shumë fibra, vitamina e minerale.
Është e pasur me antioksidant, ndihmon në shëndetin e zemrës, traktet urinare, rritë kohëzgjatjen e ushtrimeve, etj.
HealthLine ka shkruar së shega është gjithashtu e pasur me proteina, karbohidrate, vitaminë C, magnez dhe vitaminë B9.
Fruti me fara të kuqe e të lëngshme përmban antioksidant që janë të rëndësishme për të luftuar infeksione të ndryshme që mund të çojnë në sëmundje të ndryshme si ato të zemrës, kanceri dhe diabeti i tipit 2.
Sa i përket kancerit, studiuesit kanë gjetur se komponimet që përmban shega ndihmojnë në zvogëlimin e tumoreve që zbulohen në fazë të hershme të kancerit të mëlçisë. Gjithashtu sipas disa studimeve të mëhershme ekstrakti i shegës ka treguar rezultate të mira kundër kancerit të prostatës.
Sipas disa studimeve, njerëzit që janë diagnostikuar me sëmundje të zemrës kur kanë konsumuar lëng të shegës i janë ulur dhimbjet e kraharorit. Gjithashtu studiuesit kanë bërë të ditur se shega mbron zemrën.
Shega ndihmon shumë traktin urinar duke mos lejuar formimin e gurëve në veshkë. Kështu thotë studimi që është bërë në vitin 2014. Studiuesit zbuluan se ekstrakti i marrë nga lëngu i shegës ka rregulluar mënyrën e shpërndarjes së komponentëve si kalciumi e fosfatet të cilët nëse rrinë të koncentruar në një vend formojnë gurët.
Shega gjithashtu ka veti antimikrobiale dhe ndihmon kundër formimit të baktereve në dhëmb dhe parandalon formimin e kariesit. Ajo gjithashtu lufton edhe baktere të tjera të këqija si sëmundjet kërpudhore.
Polifenolet që përmban shega ndikojnë në kohëzgjatjen e ushtrimeve duke bërë që një person të mos lodhet për një kohë më të gjatë përgjatë aktiviteteve.
Shega përmban antioksidant të quajtur ellagitannins që ndihmojnë në zvogëlimin e infeksioneve në trup. Ky antioksidant ndihmon gjithashtu edhe trurin duke reduktuar mundësinë për sëmundje kognitive si Alzheimeri e Parkinsoni.
Shega gjithashtu i ndihmon organet tretëse duke i bërë mirë mikrobiomit i cili luan rol të rëndësishëm në shumë aspekte shëndetësore. Pasi që fruti rezulton të jetë i pasur me fibra ato ndihmojnë shumë në aktivizimin e probiotikëve të cilët ndihmojnë kundër sëmundjeve të organeve tretëse.