Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së nëntë në Superligën e Kosovës në futboll.
Drita shënoi fitore në udhëtim në derbin ndaj Llapit. Ndeshje e zhvilluar në “Zahir Pajaziti” përfundoi me rezultatin 0:1.
Golin e fitores për gjilanasit e shënoi Almir Ajzeraj (81′).
Drita pas kësaj fitore ka 21 pikë dhe tani është e dyta në tabelë me 21 pikë, dy më pak se lideri, Ballkani.
Llapi është i treti me 19 pikë.
Fitore sensacionale regjistroi Dukagjini në udhëtim ndaj Malishevës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Liman Gegaj” përfundoi me rezultatin 3:4.
Malishevasit e mbyllën pjesën e parë me epërsi prej dy golave, pasi shënuan Altin Aliu (11′) dhe Elom Nya-Vedji (39′), por nuk arritën që të përfundojnë ndeshjen me fitore.
Klinasit ia dolën të përmbysin gjithçka në vazhdim. Iljasa Zulfiu (47′), Iran Junior (54′), Marclei Santos (71′) dhe Altin Mërlaku (76′) shënuan në fitoren e skuadrës nga Klina.
Vendasit ia dolën në minutat shtesë të shënonin edhe një herë përmes Drilon Hazrollajt (90+3′), por jo që të merrnin edhe një pikë nga kjo sfidë.
Dukagjini tani ka 12 pikë dhe është i gjashti në tabelë, me pikë të njëjta me Malishevën që është e pesta.