Është arrestuar në aeroportin e Rinasit Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike.
Dëshmitarët kanë parë policinë që ka shoqëruar zotin Malltezi në momentin që ka mbërritur në aeroport për të udhëtuar jashtë vendit, ndërkohë që Top Channel mëson se arrestimi është bërë me urdhër të SPAK.
GJKKO vendosi masën “arrest me burg” për Malltezin, i cili është i dyshuar për pastrim parash dhe korrupsion. Gjykata e Posaçme, thanë burime ekskluzive të gazetares Anila Hoxha, ka vendosur sekuestro të të gjitha pasurive të tij.
Veç arrestimit të Malltezit, GJKKO vendoi detyrim paraqitje për vjehrrin e tij ish-kryeministrin Sali Berisha dhe për Fatmir Bektashin. Berishës gjithashtu i është bllokuar pasaporta dhe nuk mund të lëvizë jashtë vendit.
Mbi Jamarbër Malltezin, rëndojnë akuza e korrupsionit, neni 260 bashkë me Berishën dhe neni 287 korrupsion në bashkëpunim me Fatmir Bektashin. Ndërsa Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv neni 245 dhe neni 287 në bashkëpunim me Malltezin.
Brenda pesë ditëve, siç thotë ligji do të bëhet verifikimi i masave të kërkuara nga SPAK e të vendosura nga gjykata. Ndërsa Malltezit i verifikohet brenda 72 orëve nga ekzekutimi, pasi ai është nën masën “arrest me burg”.
E vetmja dosje me të cilën lidhet emri i Malltezit dhe për të cilën është kallëzuar në SPAK është ajo e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani”.
Padia në SPAK për këtë dosje është çuar nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në kohën kur ishte kreu i grupit të Partisë Socialiste.
Malltezi në atë kohë u thirr nga SPAK dhe u mor në pyetje për këtë çështje ndërsa duket se Prokuroria e Posaçme ka gjetur provat e mjaftueshme për të arrestuar dhëndrin e ish-kryeministrit, që rezulton të jetë një prej pronarëve kryesorë të pallateve që fshiu gjurmët e kompleksit Partizani.
Bëhet fjalë për një pronë me rreth 10.000 m2, në qendër të Tiranës që në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë, më pak se vlera e një garsoniere të shitur në atë zonë.
Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë ngritur 17 kulla.