Duke deklaruar se udhëheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës “e mban botën së bashku”, presidenti Joe Biden u ka thënë amerikanëve se vendi duhet të thellojë mbështetjen për Ukrainën dhe Izraelin në mes të dy luftërave shumë të ndryshme, të paparashikueshme dhe të përgjakshme.
Ndërsa ka thënë se “këto konflikte mund të duken të largëta”, Bideni në një fjalim të rrallë në Zyrën Ovale ka këmbëngulur se ato mbeten “jetike për sigurinë kombëtare të Amerikës”, teksa është përgatitur t’i kërkojë Kongresit miliarda dollarë në ndihmë ushtarake për të dyja shtetet, raportoi Associated Press.
“Historia na ka mësuar se kur terroristët nuk e paguajnë çmimin për terrorin e tyre, kur diktatorët nuk e paguajnë çmimin për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos dhe vdekje dhe më shumë shkatërrim”, ka thënë Biden. “Ata vazhdojnë. Dhe çmimi dhe kërcënimi për Amerikën e botën vazhdon të rritet”.
Ai pritet të kërkojë 105 miliardë dollarë të premten, përfshirë 60 miliardë dollarë për Ukrainën.
Janë po ashtu 14 miliardë dollarë për Izraelin, 10 miliardë dollarë për përpjekje humanitare të paspecifikuara, 14 miliardë dollarë për menaxhimin e kufirit SHBA-Meksikë dhe 7 miliardë dollarë për rajonin indo-paqësor.
Në fjalimin e tij, Bideni përfshiu edhe një paralajmërim për liderët e Iranit, të cilët kanë mbështetur Hamasin në Gaza dhe pushtimin rus në Ukrainë, duke thënë se SHBA-ja “do të vazhdojë t’i mbajë ata përgjegjës”.