Shqipëria e pandalshme, mposht Bullgarinë

Shqipëria e selektorit Sylvinho nuk po ka të ndaluar. Pasi iu afrua fare pranë kualifikimit në Euro 2024, Shqipëria ka vazhduar formën e mirë edhe në miqësore.

Të martën mbrëma në “Air Albania” në Tiranë, kuqezinjtë fituan 2:0 ndaj Bullgarisë. Është ndeshja e gjashtë rresht e Shqipërisë pa disfatë. Pesë ndeshjet e kaluara ishin kualifikuese.

Për ndeshjen me Bullgarinë, Sylvinho ndryshoi gjysmën e skuadrës. Por sërish kuqezinjtë ishin bindës në fushën e lojës. Krijuan raste, u rrezikuan fare pak dhe shënuan dy gola.

Qazim Laçi shënoi për 1:0 në minutën e 41-të. Ai realizoi nga afërsia. Një aksion i rrjedhshëm i Shqipërisë bëri që topi të përfundoi në zonë, ndërsa Laçi përfitoi nga një vendosje e gabuar në mbrojtjen bullgare.

Ndeshja nuk mundi të përfundonte pa një supergol. Këtë herë autor ishte Ernest Muçi. Ai realizoi gol mjeshtëror me goditje nga distanca. Muçi shënoi për 2:0 në minutën e 81-të.

Lojtarë që fituan rastin nga Sylvinho kanë shfaqur vlera. Kështu përzgjedhësi i Shqipërisë ka fituar më shumë opsione për ndeshjet e nëntorit.