Gjykata Speciale ka aprovuar kërkesën e kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit, për lirim të parakohshëm nga burgu në Hagë.
Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, i cili tha se një vendim të njëjtë nuk ka për Nasim Haradinajn.
Këtë refuzim Klinaku e ka konsideruar të padrejtë, teksa shtoi se nuk ka gjykatë që e mposhtë Haradinajn.
“Nuk ka gjykatë që të mposhtë ty shoku Nasim Haradinaj. Të mposhturit janë të tjerë, sidomos ata të Institucioneve të Kosovës”, shkroi Klinaku.
Ndryshe, një konfirmim zyrtar nuk e ka bërë ende Specialja.
“Nëse dhe kur nxirret një vendim publik për këtë çështje, ai do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara”, tha zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle.
Për akuzat ndërhyrje në drejtësi, Gucati e Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, derisa në maj të vitit 2022 u shpallën fajtor, duke u dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim.
E në fillim të këtij viti, Gjykata e Apelit ua uli këtë dënim për tre muaj.