Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha të enjten se pozicioni “i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës” në sytë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian po ia bëjnë të vështirë vendit të tij përpjekjet për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës.
Duke folur gjatë një seance të Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të miratohet një rezolutë për Kosovën, Rama tha se “viktimizimi diplomatik i Serbisë falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut”, po ashtu po ndikon në përpjekjet e Shqipërisë.
Rama i bëri thirrje Kosovës të mos e humbasë “shansin historik” për t’u ulur në tavolinën e negociatave me planin franko-gjerman, si dhe ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili, sipas tij, është kthyer në “litar që po ia shtrëngon këmbët Kosovës.”
Kryeministri shqiptar tha se Kuvendi i Kosovës ka të drejtë dhe për detyrë ta miratojë rezolutë për sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur, ndërsa Shqipërisë i takon ta mbështesë atë rezolutë.
Kuvendi i Kosovës e miratoi më 28 shtator një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.
Ai tha se nuk lëkundet nga qëndrimi i tij se KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun duke theksuar se “është prezent rreziku i përshkallëzimit me armë të konfliktit në veri, edhe përmes ndikimit rus”.
Në draftin e dakorduar nga palët dhe që po diskutohet nga deputetët theksohet se “Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri rezolutën e miratuar më 28 shtator në Kuvendin e Kosovës.”
Gjithashtu, sipas saj, Kuvendi kërkon nga institucionet kushtetuese të Shqipërisë “që në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe në kontaktet bilateral me partnerët të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës”.
Rezoluta inkurajon Qeverinë e Kosovës që të “punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva” me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.