Krasniqi: Vetëvendosje e harroi shpejt sakrificën e Afrim Bunjakut dhe kolegëve të tij

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për mospjesëmarrjen në seancën e Kuvendit ku do të shqyrtohej projekt-rezoluta për Policinë e Kosovës.

Ai ka thënë se pushteti po e do policinë vetëm për mburrje dhe se po refuzon ta ndihmojë dhe forcojë.

Krasniqi ka shtuar se rezoluta e propozuar nga PDK-ja u ndihmon policëve.

“Është e mjerueshme dhe për keqardhje kjo qasje e pushtetit ndaj policëve tanë. Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku dhe kolegëve të tij, të cilët, çdo ditë e vënë jetën e tyre në rrezik për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin e shtetit tonë”, ka shkruar ai.

Tutje ka theksuar se PDK-ja do të insistojë që rezolutën ta miratojë me çdo mënyrë.

“Shtesat për rrezikshmërinë, sigurimi shëndetësor dhe miratimi i Ligjit për pensionim të parakohshëm – janë më të paktat që meritojnë policët tanë”.