Për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), vlera e koeficientit duhet të jetë 130 euro.
Kryesindikalisti i arsimit, Rrahman Jasharaj për Front Online ka thënë që do t’i drejtohen deputetëve në mënyrë që t’i plotësohet kjo kërkesë e tyre.
“Ne tani jemi duke bashkëbiseduar me sindikatat tjera do ta kemi një takim të kryesisë ekzekutive dhe bashkërisht do ta punojmë një shkresë me të cilën do t’i drejtohemi deputetëve edhe të pozitës edhe të opozitës që ata ta ngrisin çështjen dhe meqënëse po afrohemi fundit të vitit dhe do të bëhet planifikimi i ligjit të buxhetit për vitin e ardhshëm do të kërkojmë që deputetët të angazhohen që vlera e koeficientit të ngritët. Do të bëjmë angazhime që të ketë lëvizje të koeficientit së paku të jetë 130 euro vlera”, deklaroi ai.
Jasharaj ka kërkuar që të takohet edhe me zyrtarët e Qeverisë, mirëpo ai thotë që nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Ai thotë që qasja e pushtetit, krijon tensione.
“As kryeministri, as ministri Murati e as zonja Nagavci nuk i janë përgjigjur kërkesave tona të arsyeshme që të takohemi, dhe të bisedojmë dhe ata po harrojnë që në këtë mënyrë dhe kjo qasje e gabuar ndaj sindikatave krijon tensione, krijon dhe pakënaqësi, të cilat edhe nëse nuk ka grevë ato pakënaqësi ekzistojnë”, deklaroi ai.
Ngritja e vlerës së koeficientit, sipas kryesindikalisiti Rrahman Jasharaj thotë që do të duhej të bëhej për hir të Policisë së Kosovës.
Kjo për shkak që sipas tij, policët po përballen me sfida.
“Qeveria do të duhej ta ndjente obligim dhe moral që për hir të Policisë së Kosovës ta bëjë këtë ngritje të vlerës së koeficientit, sepse kjo Polici po përballet përditë me sfida të kohës dhe është duke qëndruar në nivelin më të lartë të detyrës, për atë po them edhe mos e bëftë për të tjerët, le ta bëjë për hir të Policisë së Kosovës dhe pastaj ajo vlerë të vlejë për të gjithë”, thekson ai.