Analiza e “The Guardian”: Civilët do të paguajnë më së shtrenjti në Izrael


Sipas një analize të mediumit prestigjioz “The Guardian” nga luftimet e palestinezëve dhe Izraelit, më së rëndi do ta pësojnë civilët.

50 vjet më parë Izraeli u përball me kërcënimin për ekzistencë, pas sulmit befasues të përbashkët nga Egjipti dhe Siria. Në orët e hershme të kësaj të shtune – historia duket se u përsërit. Izraelitët u zgjuan nga raketat dhe sirenat e shumta, pasi grupi militant palestinez Hamas nisi sfidën më të madhe ushtarake me të cilën është përballur Izraeli që nga dita fatale e vitit 1973, ka nisur shkrimin ky medium të shtunën në mbrëmje.

Për herë të parë në këta 75 vjet që nga krijimi i Izraelit, forcat palestineze arritën të marrin kontroll brenda “Vijës së Gjelbër” – në anën tjetër të kufirit të menduar të një shteti të pavarur palestinez. Më shumë se 200 izraelitë kanë vdekur e numri pritet të rritet ndjeshëm. Në mesin e palestinezëve janë edhe më shumë të vdekur. Dhjetëra civilë izraelitë besohet se po mbahen pengje nëpër shtëpitë e tyre apo janë marrë brenda Rripit të Gazës.

“Kidnapimi dhe vrasja e tre izraelitëve në Bregun Perëndimor çoi në luftën e vitit 2014 mes Hamasit dhe Izraelit. Por asgjë si kjo e sotmja s’ka ndodhur në konfliktin arabo-izraelit. Përderisa 1973-a ishte luftë mes ushtrive tradicionale, këtë herë, pasojat për civilët në të dyja anët pritet të jenë të tmerrshme”, thuhet në shkrim.

Zyrtarët në Hamas, lëvizja islamike që mori kontrollin në Rripin e Gazas më 2007, kanë thënë shpesh se do t’i përgjigjen Izraelit “në kohën dhe vendin që vetë e zgjedhim”. Por koha dhe shkalla e këtij sulmi të paprecedentë ajror e tokësor kanë kapur edhe izraelitët e edhe palestinezët në befasi. U nis gjoja si përgjigje ndaj vizitave të hebrenjve gjatë festave në kompleksin e xhamisë al-Aqsa në Jerusalem, që është vendi më i shenjtë në judaizëm dhe i treti më i shenjti në islam. Megjithatë, në të kaluarën Hamasi është kënaqur me sulme më pak serioze për shkelje më të rënda të status-quosë së Jerusalemit.

Ka shtuar edhe frikën se operacioni, i quajtur si “përmbytja e al-Aqsas” nga Hamasi, mund të ndezë zjarr më të madh, duke tërhequr Jerusalemin dhe Bregun Perëndimor, ose Hezbollahun në Liban. Kujtimet nga dhuna mes komuniteteve që shpërtheu në luftën e fundit me Hamasin rrugëve të Izraelit më 2021, janë ende të freskëta.

Sulmi përfaqëson dështim serioz të inteligjencës izraelite, që vlerësoi se Hamasi s’po kërkonte luftë të shkallës së plotë, dhe të dyja palët sapo kishin negociuar armëpushimin, të ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe OKB-ja, pas tre javësh dhune dhe trazirash në gardhin ndarës. Sipas kalkulimeve të Izraelit, Hamasi nuk planifikonte të shkatërronte ekonominë e vjetëve të fundit – pasi rreth 18 mijë leje pune për burrat nga Gaza u dhanë për ndërtim e agrikulturë në Izrael në dy vjetët e fundit.

E paqartë ka mbetur se a ka marrë Hamasi mbështetje nga elementet e jashtme si Hezbollahu a Irani, por të paktën dihet se situata në Gaza nuk është aspak e qëndrueshme.

Ngjarjet mbesin sfida të frikshme për Qeverinë e ekstremit të djathtë të Izraelit, që ka përjetuar disa kaose të brendshme, nga propozimet për ta riparuar gjyqësorin e deri te tensionet e vazhdueshme me palestinezët. Për ekstremistët në kabinetin e Benjamin Netanyahut, ngjarja e fundit është një pretekst më shumë për rikthim të luftës në shkallë më të gjerë.

Siç shkruan “The Guardian” përgjigja tokësore e Izraelit, e para që nga viti 2014, ka të ngjarë të ndodhë.

“E vetmja gjë që duket e sigurt është se banorët e Gazas, tashmë të goditur nga katër luftëra në 16 vjetët e fundit, do ta paguajnë çmimin më të rëndë”, përfundon shkrimi.