Ambasada e Gjermanisë: Kush ka pasaportën e Kosovës, nga 1 janari lëvizë pa viza në Shëngen

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë përmes një njoftimi ka dhënë detaje lidhur me udhëtimin pa viza për Kosovën.

Sipas njoftimit ,poseduesit e pasaportave të Kosovës duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtëra.

Ky është lajm është publikuar në faqen e ambasadës gjermane në Kosovë.

Tutje janë dhënë edhe detaje të qëndrimit dhe shtetet që mund të vizitoni pa viza nga 1 janari kur fillon zyrtarisht liberalizimi i vizave për Kosovën.

Njoftimi i plotë:

Poseduesit e pasaportave të Kosovës duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtëra.
Udhëtimi pa viza ju mundëson të udhëtoni pa vizë për qëndrime të shkurtra, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.
Ju mund të qëndroni deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore brenda zonës Shengen. Nëse udhëtoni disa herë, duhet të llogaritni me kujdes numrin e ditëve të qëndrimit tuaj, pasi periudha e përgjithshme e qëndrimit nuk duhet të tejkalojë totalin prej 90 ditësh brenda periudhës 180 ditore. Periudha e qëndrimit llogaritet nga data e parë e hyrjes në çdo zonë Shengen.
Me një pasaportë biometrike të vlefshme të Kosovës mund të udhëtoni pa viza në vendet e mëposhtme të BE-së: Austri, Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Qipro, Republikën Çeke, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Itali, Letoni, Lituani , Luksemburg, Maltë, Holandë, Poloni, Portugali, Rumani, Sllovaki, Slloveni dhe Suedi. Gjithashtu mund të udhëtoni në vendet e Shengenit: Zvicër, Norvegji, Lihtenstein dhe Islandë. Ju nuk mund të udhëtoni në Spanjë.
Duhet të keni gjithmonë informacion për qëllimin e vizitës suaj, vendin e akomodimit/ku do të qëndroni gjatë vizitës, biletat kthyese, dëshmitë e mjeteve të mjaftueshme financiare për të mbuluar qëndrimin (para dhe/ose kartë krediti). Rekomandohet fuqimisht të keni një sigurim udhëtimi. Nëse synoni të qëndroni me të afërmit ose miqtë tuaj të familjes, duhet të keni adresën e saktë dhe numrat e telefonit të tyre. Zyrtarët kufitarë mund të kërkojnë dokumente mbështetëse që arsyetojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit të synuar.
Udhëtimi pa viza nuk ju mundëson të punoni në Zonën Shengen. Nëse synoni të punoni në një nga vendet e BE-së, duhet të aplikoni për vizë pune të kategorisë D në shërbimin përkatës të konsulatës së këtij vendi të BE-së.
Udhëtimi pa viza nuk synohet për studime që kalojnë 90 ditë në Zonën Shengen brenda një periudhe prej 180 ditësh. Për studime më afatgjata, duhet të aplikoni për vizë studentore dhe rregullat për këtë ndryshojnë nga vendi në vend.
Kur arsyetohet siç duhet, udhëtimi pa viza ju mundëson të kërkoni trajtim mjekësor për sa kohë që ky qëndrim është brenda kufijve të 90 ditëve maksimale. Në këtë rast, ju duhet të keni një dëshmi (dokument zyrtar) të pranimit të institucionit mjekësor dhe dëshmi për trajtimin tuaj shëndetësor të planifikuar ose ekzaminimet mjekësore.
Heqja e vizave nuk jep një të drejtë të pakushtëzuar hyrjeje dhe qëndrimi. Shtetet anëtare kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen dhe qëndrimin në territoret e tyre, nëse nuk plotësohen një ose më shumë nga kushtet e hyrjes, si p.sh.
Posedimi i një pasaporte biometrike të vlefshme (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së synuar të nisjes nga zona Shengen),
Arsyetimi i qëllimit dhe kushteve të qëndrimit të synuar, duke pasur mjete të mjaftueshme financiare, si për kohëzgjatjen e qëndrimit të synuar ashtu edhe për kthimin;
Të mos jetë një person për të cilin është lëshuar një sinjalizim në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS) për qëllime të refuzimit të hyrjes;
Të mos konsiderohet si kërcënim për politikën publike, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të ndonjë prej shteteve anëtare.
Udhëtimi pa viza nuk ju jep të drejtën për të kërkuar azil në shtetet e BE-së, ose të Shengenit.
Keqpërdorimi mund të çojë në refuzimin e hyrjes në të ardhmen në raste të tilla si: qëndrimi përtej 90 ditësh në periudhë prej 180 ditësh, punësimi pa leje, nëse përbëni kërcënim për sigurinë publike ose përfshiheni në aktivitete kriminale. Keqpërdorimi dhe qëndrimi përtej periudhës së mund të çojnë në gjobë financiare dhe të rezultojnë në dëbim dhe ndalim të hyrjes në Zonën Shengen deri në 5 vjet.