Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.
Rezoluta është miratuar me 97 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.
Seanca e 28 shtatorit në Kuvend ka nisur me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë Afrim Bunjaku – tashmë të shpallur hero.
Në prezantim të rezolutës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ky institucion e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës në termat më të ashpër.
“Sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës dhe kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe çfarëdo mbështetjeje që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”.
Hetimet ndërkombëtare ndaj Serbisë janë kërkuar “lidhur me aktivitetet terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në kampin e Serbisë”.
Në rezolutë është vlerësuar edhe bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit (EULEX) dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR në “aksionin e përbashkët, për t’i zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veriun e vendit tonë”.
Mes tjerash, Konjufca ka thënë se rezoluta kërkon që:
institucionet e Kosovës të punojnë në integrim të plotë të të gjitha komuniteteve, pa dallim,
inkurajohet dhe mbështetet pluralizmi politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë,
kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara për ta fuqizuar shtetin e së drejtës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje nga Kuvendi për sanksionim dhe ndëshkim të Serbisë nga faktori ndërkombëtar për sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
“Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo [Serbia] do ta përsërisë krimin”.
Mes tjerash, Kurti ka bërë thirrje që organizatat Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore të shpallen organizata terroriste nga shtetet partnere të Kosovës.
Qeveria e Kosovës i ka shpallur këto dy organizata si terroriste, më 29 qershor.
Ato besohet se veprojnë në veriun e Kosovës dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb, që janë shumicë në këtë zonë.
Kurti i ka falënderuar të gjitha shtetet që e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe për mbështetjen e ofruar.
“Lufta kundër krimit e terrorit të sponsoruar nga Serbia vazhdon, dhe ajo do të përfundojë doemos me fitoren e shtetit tonë të pavarur”.
Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për këtë sulm, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit.
Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka bërë thirrje për unitet politik, në këtë periudhë kur, sipas saj, është duke u sfiduar integriteti territorial i Kosovës.
“E diela që lamë pas shpërfaqi një sulm të organizuar dhe të dirigjuar direkt nga Beogradi, për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë. Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër”, ka thën ajo, teksa e ka përmendur armatimin e gjetur nga Policia e Kosovës në zonën e sulmit.
Kusari-Lila e ka fajësuar Serbinë për sulmin.
“Porosia dhe veprimi i të gjithëve duhet të jetë konsistent në dënimin e këtij terrori dhe këtij krimi… u kuptua se Serbia as nuk ka ndryshuar, as nuk e fsheh faktin që ka mbetur Serbia e [ish-liderit Sllobodan] Millosheviqit, vetëm se ndikimin e ka më të vogël dhe fushëveprimin më të ngushtuar”.
Kryetari i partisë opozitare, Partia Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për ta vërtetuar përfshirjen e Serbisë në këtë sulm.
“Mposhtja e grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit, nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës, e që është destabilizimi i skajshëm i vendit tonë. Për mua dhe PDK-në është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi republikanë tonë, adresën kryesore e ka në Beograd”.
Ai ka thënë se Kosova duhet të kërkojë “ekstradimin e terroristëve nga Serbia, të cilët e kanë kryer sulmin ndaj mbi shtetin tonë”.
Kryetari i partisë tjetër opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se synimi i sulmit të 24 shtatorit ka qenë krijimi i një realiteti të ri në veri.
Sipas tij, përgjigja e autoriteteve të Kosovës ndaj sulmit ka qenë “më adekuatja e mundshme”.
“Faktet janë të qarta. Kosova nuk e ka sulmuar Serbinë. Kosova nuk e ka vrarë një polic të shtetit tjetër. Nga Kosova nuk janë nisur mjete e trupa ushtarake drejt një shteti tjetër. Në Kosovë nuk janë kthyer individë të armatosur, pasi e kanë vrarë një polic të shtetit tjetër. Kosova nuk ka vendosur trupa të armatosura në objekte fetare”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se një rezolutë që e dënon sulmin në Banjskë, është e drejtë dhe Kuvendi i Kosovës duhet ta aprovojë.
“Në këtë rezolutë kërkoj që të përfshihet kërkesa për një hetim ndërkombëtar. Ky hetim do të ndihmonte, jo vetëm në zbardhjen e përfshirjes së Serbisë në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, por do ta ndihmonte bashkësinë ndërkombëtare që t’i ndëshkojë sponsorët e terrorizmit”.
Shefi i grupit parlamentar multietnik Enis Kervan, ka thënë se vdekja e rreshterit Bunjaku shërben si përkujtim për sfidat me të cilat përballet Kosova në pjesën veriore të vendit.
Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi.
Më poshtë mund t’i lexoni të gjitha pikat e saj:
– Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës;
– Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;
– Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;
Reklama
– Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cënuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës;
Kuvendi i Republikës së Kosovës
- DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të
organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;
- VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultetet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të smbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;
- OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
- KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;
- INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.
- KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike;
- KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë.
/Rel/