Pas takimit me krerët e opozitës, deklarohet Presidenca

Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit që pati me kryetarët e partive opozitare në vend, ka thënë se uniteti nacional në këtë kohë të rëndë për Kosovën është imperativ dhe për këtë duhet të kontribuojnë të gjithë.

Osmani i falënderoi liderët e partive opozitare për qëndrimin korrekt dhe përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në fazën e ballafaqimit me agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.

“Kryetarët e partive opozitare, janë informuar, brenda kufizimeve që lejon korniza ligjore, lidhur me zhvillimet e sigurisë, punën e institucioneve të Kosovës si dhe për rreziqet e shkaktuara nga Serbia për shkak të agjendës së saj destabilizuese e luftënxitëse e cila po shfaqet nëpërmjet akteve të agresionit dhe të terrorizmit”.

Në të gjitha takimet janë përgëzuar institucionet e sigurisë për punën e shkëlqyeshme në ballafaqim me strukturat e dirigjuara nga Serbia që kryen sulmin terrorist kundër Kosovës dhe është shprehur mirënjohje e thellë për angazhimin e pashoq dhe sakrificën e policisë së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Tutje, bëhet e ditur se Osmani i ka siguruar liderët opozitarë se në çdo fazë të zhvillimeve do të njoftohen lidhur me përgatitjet dhe punën e institucioneve por edhe sipas saj, do të ketë bashkërendim të plotë me aleatët e Kosovës.

Kujtojmë se sot, Osmani bashkë me shefin e AKI-së, Petrit Ajetin, kanë takuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.