jë ngjarje e rëndë ndodhi paraditen e kësaj të marte, në një lokal në qendër të qytetit të Rrëshenit. Martin (Marku) Bardhi 59 vjeç u qëllua për vdekje në rrethana momentalisht të paqarta. Autorët sipas policisë dyshohet se ishin 2 persona të maskuar, të cilët lëviznin me një fuoristradë me ngjyrë të zezë. Mjeti u gjet pak kohë më pas në flakë, në fshatin Gëziq të Mirditës.
Në momentin e të shtënave me breshëri automatiku, në zonë kishte qytetarë të shumtë. Për pasojë plumbave nuk u shpëtuan 3 prej tyre.Policia tha se të plagosur nga të shtënat mbetën Ilir Bardhoku, Olti Gjini, Indrit Bardhi. Ky i fundit mësohet se është i afërm i 59-vjeçarit Bardhi.
Lokali në fjalë ishte në pronësi të viktimës dhe të gjithë personat ndodheshin të ulur në një tavolinë. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se autorët vijuan të qëllojnë edhe teksa largoheshin me makinë. Lokali në fjalë ndodhet pranë spitalit të qytetit dhe rreth 50 metra larg komisariatit të Rrëshenit.
“Rreth orës 10:40, në Rrëshen, nga shtetas ende të paidentifikuar, është vrarë me armë zjarri shtetasi Martin (Marku) Bardhi. Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove që do të bëjë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve“, tha policia e Lezhës në një njoftim paraprak për mediat.
Viktima raportohet se kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu. Sipas asaj që raporton Klan News dyshimet e para janë se vrasja ka ardhur për shkaqe hakmarrje. Kjo për shkak të konflikteve mes fisit Bardhi dhe Reçi.
“Ne po kryejmë veprimet e para procedurale në vendngjarje. Jemi akoma në fazën e parë. Dihen konfliktet që kanë pasur fisi Bardhi me fiset e tjera dhe po punojmë për zbardhjen e identifikimit sa më të shpejtë dhe kapjen e autorëve”, tha dhe drejtori i policisë së Lezhës, Alfred Elezi.
Martin Bardhi u arrestua në muajin Mars të këtij viti si një nga autorët e të shtënave me armë në drejtim të makinës së Saimir Reçit në Rrëshen. Kjo ngjarje ndodhi më 26 Mars dhe të përfshirë ishin edhe djali i Martin Bardhit, Erind Bardhi dhe një 28-vjeçar tjetër me lidhje gjaku me familjen Bardhi.
Shkak për ngjarjen në fjalë u bë një sherr për vendin e parkimit mes Erind Bardhit dhe Saimir Reçit. Erind Bardhi shkoi më pas në banesën e tij së bashku me të atin, viktimën e ditës së sotme, ku mori armën e zjarrit dhe qëlloi mbi makinën e blinduar të Reçit në momentin që ai po largohej. Reçi si pasojë e të shtënave humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me bordurën e rrugës, por nuk u lëndua.
Për këtë ngjarje, Erind Bardhi dhe kushëriri i tij 28-vjeçar u shpallën në kërkim për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i ekzekutuar në qendër të Rrëshenit në vitin 2020.
Viktima e kësaj të marte ishte lënë nën masën detyrim paraqitje, ndërkohë që gjykohej çështja ndaj tij.