Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulmin në Banjskë


Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim për të dy të dyshuarit për sulmin në Banjskë.

Dy të arrestuarit, pjesë e grupit terrorist që morën pjesë në sulmin e Banjskës janë larguar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pas përfundimit të seancës ndaj tyre.

Në këtë seancë, është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj këtyre të dyshuarve, ndërsa pritet të merret vendimi.

Ata janë sjell nën përcjelljen e forcave të shumta policore e duke u tërhequr zvarrë, raporton EO. Të pranishëm janë parë edhe avokatët e tyre që nuk kanë dashur të flasin për medie.

Mbrëmë Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën paraburgimit për të arrestuarin Vlladimir Toniq, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.T, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS – së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.T dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Masa e paraburgimit është caktuar  në harmoni me nenin 182 të KPPRK dhe nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 dhe paragrafit 1.3 të KPPRK-së.