Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte sot në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, ku me ceremoni shtetërore u varros polici i rënë dje në krye të detyrës, Heroi i Republikës së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Para të pranishmëve të shumtë, familjarëve e kolegëve të të ndjerit, përfaqësuesve të institucioneve të vendit e atyre ndërkombëtare, kryeministri Kurti tha se rënia në detyrë e Rreshter Afrim Bunjakut i veshur me uniformën e Policisë së Kosovës, është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri, për drejtësi e të drejta, për çdo qytetar të Kosovës pa dallim. Ai tha se heroizmin e Afrimit e vazhduan sërish me profesionalizëm dhe vetëmohim kolegët e tij, policët e Kosovës, që i përballën grupet e armatosura kriminale e terroriste të Serbisë në veri të Kosovës.
Kryeministri ndër të tjera tha se dhënia e jetës për popullin dhe tokën që të ka lindur dhe rritur është vepra më sublime që mund ta bëjë një njeri, se dëshmori është grada më e lartë pas të cilës asgjë dhe askush nuk mund ta degradoj atë, dhe se pjesëmarrja në varrim është obligimi ynë i fundit për jetën e tij, kurse nderimi i veprës dhe vazhdimi i idealeve të saj, është obligimi i përjetshëm i ne të gjallëve për dëshmorët.
Fjala e kryeministrit Kurti:
Të dashur qytetarë,
E nderuara Presidente, Kryeparlamentar,
E nderuara familje Bunjaku, policë të Kosovës, kolegë të heroit Afrim Bunjaku,
Ministra e zëvendësministra, e deputetë e zyrtarë shtetërorë, të Kosovës, të Shqipërisë dhe të vendeve mike e partnere,
Komandat Bashkim Jashari,
Drejtor i policisë, Gazmend Hoxha,
Baca Rifat,
Kryetarë të Komunave,
Myfti Naim,
Shkëlqesi ambasadorë e diplomatë të tjerë,
Motra dhe vëllezër nga e gjithë Kosova që keni ardhur sot këtu në Samadrexhë të Vushtrrisë për ta nderuar veprën e heroit Afrim Bunjaku dhe për t’i dhënë lamtumirën. Dhënia e jetës për popullin dhe tokën që të ka lindur dhe rritur, është vepra më sublime që mund ta bëjë një njeri. Dëshmori është grada më e lartë pas të cilës asgjë dhe askush nuk mund ta degradoj atë. Pjesëmarrja në varrim është obligimi ynë i mbramë për jetën e tij, kurse nderimi i veprës dhe vazhdimi i idealeve të saj, është obligimi i përjetshëm i ne të gjallëve për dëshmorët.
Për heroin e Republikës së Kosovës, Afrim Bunjakun, dje erdhëm për t’u shprehur ngushëllime dhe për t’u dhënë mbështetje familjes Bunjaku këtu në Samadrexhë të Vushtrrisë, kurse në mbrëmje, bashkë me ministra të Qeverisë dhe deputetë të Kuvendit, si dhe me shumë qytetarë ndezëm qirinj në Prishtinë, para stacionit qendror policor.
Afrim Bunjaku u qëllua dhe u vra në një natë me hënë, teksa po kryente detyrën bashkë me kolegët e tij që morën plagë në atë rast. Në orët që pasuan gjatë ditës së 24 shtatorit, nën dritën e diellit u ndriçuan rrethanat dhe kryerësit e këtij akti kriminal dhe terrorist. U ndriçuan nga kolegët e Afrimit, pjesëtarë të Policisë së Kosovës që me profesionalizmin më të lartë, reaguan në përputhje me rrethanat. Ata e kryen detyrën e tyre, e nderuan Afrimin, na nderuan të gjithë neve dhe Republikën e Kosovës!
Çdo minutë të një dite të gjatë zbatonin ligjin dhe mbronin territorin, mbanin rendin dhe ruanin qytetarët, për paqe me siguri, për të gjithë me secilin.
Rënia në detyrë e Rreshter Afrim Bunjakut i veshur me uniformën e Policisë së Kosovës, është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri, për drejtësi e për të drejta, për çdo qytetar të Kosovës pa dallim. E heroizmin e Afrimit e vazhduan sërish me profesionalizëm dhe vetëmohim kolegët e tij, Policët e Kosovës, që i përballën grupet e armatosura kriminale e terroriste të Serbisë në veri të Kosovës. Përballë këtyre strukturave armiqësore, do të ngadhënjejë Kosova me përpjekjen e saj legjitime për rend dhe ligj dhe sovranitet, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj.
Me terrorin dhe krimin nuk ka kompromis. Dje jo vetëm që janë rrezikuar, por edhe janë cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare. Sot, përpara se Afrim Bunjaku të varroset si një hero në tokën e tij, portreti dhe profili i Afrimit le të skaliten në kujtesën tonë fotografike dhe në mbamendjen tonë kolektive, si fytyra e një heroi dhe si vepra e një dëshmori!
Afër Afrimi, larg krimi!
Lavdi Rreshter Afrim Bunjakut, Heroit të Republikës së Kosovës dhe dëshmorit më të ri të tokës së saj: lavdi sot e mot, gjithnjë e përgjithmonë!