Shqipëria ka raportuar dy infeksionet e para të konfirmuara me koronavirusin e ri.
Të infektuarit janë një burrë 54 vjeçar dhe djali i tij 28 vjeçar, që ishin kthyer kohët e fundit nga Italia.
Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri tha më 9 mars, se që të dy, ishin në gjendje të qëndrueshme dhe nuk duket se kishin komplikime të shëndetit.
“Dy rastet e konfirmuara janë në gjendje të stabilizuar dhe po trajtohen në Spitalin Infektiv në Tiranë. Strukturat e urgjencës kombëtare dhe Institutit të Shëndetit Publik janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Në një mbledhje të qeverisë shqiptare, të mbajtur të hënën në mëngjes, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje të mos bëhet panik dhe të ruhet qetësia. Ai njoftoi se të gjitha institucionet e arsimit do të mbyllen për dy javë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Ai tha se masat janë marrë bazuar në udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Për këtë arsye, në besojmë së është momenti të mbyllim gjitha institucionet arsimore dhe njëkohësisht të kërkojmë anulimin e të gjitha grumbullimeve masive, sportive, kulturore, konferencave, dëgjesave publike e kështu me rradhë, deri më datën 3 prill për ta parë dinamikën e këtij zhvillimi dhe pastaj për të vendosur më tutje”, tha Rama duke shtuar se, gjithashtu do të ndalohen fluturimet nga zonat e prekura në Itali.
Rreth 400,000 shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Itali.
Në Kosovë ende nuk është raportuar për asnjë rast me koronavirusin e ri, megjithatë, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka pezulluar përkohësisht fluturimet që vijnë nga Italia veriore.
Si është gjendja në vendet tjera në botë?
Në epiqendrën e virusit në Kinë, është raportuar rënie e rasteve të reja me koronavirusin e ri. Të paktën 11 nga 16 spitalet e improvizuara në Vuhan kanë qenë në gjendje të mbyllen, raportoi media shtetërore Xinhua.
Spitalet e improvizuara – në stadiume, shkolla dhe gjetkë – trajtuan pacientët që vuanin nga simptoma të buta.
Edhe zyrtarët e Koresë Jugore kanë raportuar 69 raste, rritja më e ulët ditore, në dy javët e fundit.
Sidoqoftë, shpërthimi i virusit nuk tregon shenja ndalese në Evropë. Në Itali, numri i rasteve të prekura ka arritur në 7.375.
Autoritetet italiane kanë vendosur 16 milionë njerëz në karantinë derisa po luftohet kundër shpërndarjes së koronavirusit.
Banorët në 15 provinca qendrore dhe veriore të Italisë duhet të marrin leje për të udhëtuar. Milano dhe Venediku janë tashmë të përfshira nga ky virus.
Numri i vdekjeve në Itali u rrit në 366 nga 233 sa ishin të shtunën, njoftuan zyrtarët të dielën.
Nëntëdhjetë njerëz në Francë kanë vdekur, njoftuan autoritetet, derisa numri i të infektuarve ka arritur në 500 gjatë fundjavës.
Bullgaria të dielën raportoi katër rastet e para të konfirmuara të koronavirusit.
Ndërkaq në Gjermani raportohet për 1,112 raste të të infektuarve.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për të paktën 19 viktima dhe për përhapje të virusit në më shumë se 30 shtete.
Në një postim në rrejtin social Twitter presidenti amerikan, Donald Trump tha se “kemi një plan koordinimi të përsosur dhe të rregulluar mirë në Shtëpinë e Bardhë për të luftuar virusin”.
Numri i njerëzve të infektuar me koronavirusin SARS-CoV-2, arriti në 110,000 në të gjithë botën, dhe mbi 3.800 kanë vdekur. /Rel/