Komisioni Disiplinor i UEFA-s sot [e mërkurë] do të shqyrtojë për dënimin ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë. Kështu ka raportuar të mërkurën gazeta e njohur rumune “Fanatik”.
Ndeshja në mes të Rumanisë dhe Kosovës e luajtur në Bukuresht më 12 shtator, ndërsa u ndërpre për 50 minuta për shkak të mesazhit “Kosova është Serbi” të shpalosur nga huliganët e grupit rumun “Uniti sub tricolori”.
Shtëpia Evropiane e Futbollit e ngarkon me pesë akuza Federatën e Futbollit të Rumanisë. Akuzat për të cilat ngarkohen rumunët janë: Mesazhe provokuese me karakter fyes (pankarta të paligjshme, jo vetëm “Kosova është Serbi”, por edhe “Bessarabia është Rumania”), sjellje raciste, ndezje të fishekzjarrëve, hedhje të gjësendeve në fushë dhe bllokim të zonave të qasjes publike.
Në fushë, Rumania e mposhti 2:0 Kosovën në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.